Rritja e kërkesave për të financuar nevojat e pandemisë COVID-19, ka rritur shumë shpenzimet, borxhin dhe defiçitin e qeverisë.
Në 12 muajit e vitit të kaluar shpenzimet arritën në 536.6 miliardë lekë me një rritje prej 9 % ose rreth 44.4 miliardë lekë ose 359,6 milionë euro më shumë se në vitin 2019.
“Shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2020, arritën në 536.3 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 9 % më i lartë ose rreth 44.4 miliardë lekë më shumë”, thotë ministria e Financave.
Paralelisht me shpenzimet, është rritur edhe deficiti buxhetor. Në fund të dhjetorit ai arriti në 110.67 miliard lekë, duke pësuar një rritje prej 79.1 miliard lekësh ose 640,6 milionë euro më shumë se në vitin e tërmetit tragjik të nëntorit.
Ndikim në këtë trajektore rritëse dhanë paketat e qeverisë që u miratuan menjëherë pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, fillimisht me 3 pagat e luftës prej 26 mijë lekësh, dhe bonusin prej 40 mijë lekësh për të përfunduar tek garancitë sovrane në vlerën e 26 miliardë lekëve.
Ndërsa sa i takon borxhit publik, edhe pse ende nuk janë bërë publike shifrat përfundimtare, është parashikuar 80.9%, pasi vetëm gjatë pandemisë janë marrë më shumë se 1 miliardë euro borxhe përfshirë Eurobondin që ishte 650 milionë euro që u emetua në qershor 2020.