Ekonomi

Pandemia uli numrin e azilkërkuesve në vend, Shqipëria e preferuara e sirianëve dhe e irakienëve

5 Korrik 2021, 20:34| Përditesimi: 5 Korrik 2021, 20:45

  • Share

Mbyllja e kufijve si pasojë e pandemisë COVID-19, ka ulur edhe numrin e aplikimeve të kryera për azilkërkues në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 rezultojnë 2.232 azilkërkues në Shqipëri, duke pësuar rënie me 66,0 %, krahasuar me vitin 2019.

Ndërkohë numri i azilkërkuesve femra është 501, ndërsa i meshkujve është 1.687, pra meshkujt dominojnë me 75,6 % të numrit gjithsej të azilkërkuesve. Shqipëria vijon të jetë vendi i preferuar për shtetas me origjinë nga Siria dhe Iraku, pasi 54.4% e aplikimeve janë bërë nga këta shtetas.

“Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, kuptojmë se shumicën e rasteve e përbëjnë ata me origjinë nga Siria me 876 azilkërkues, Iraku me 339 azilkërkues, Afganistani me 316 azilkërkues dhe nga Maroku me 297 azilkërkues”, thuhet në raportin e INSTAT.

Sipas raportit gjatë vitit të kaluar janë dhënë vetëm 4 vendime pozitive për dhënie të statusit të refugjatit dhe statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, ku të gjithë këto raste i përkasin shtetasve nga Siria.

Nga ana tjetër pandemia ka ndikuar edhe tek numri i marrjes dhe lënies së shtetësisë. Bazuar në raport thuhet se gjatë vitit 2020 rezultojnë 423 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rënie me 12,8 %, krahasuar me vitin 2019, ndërsa kanë lënë shtetësinë 513 persona përsëri me rënie me 30,8 %, krahasuar me vitin 2019.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?