Pandemia zbeh gjasat për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

28 Shkurt 2021, 10:25| Përditesimi: 28 Shkurt 2021, 10:32

  • Share

Në kohën kur Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë për shkak të pandemisë, liberalizimi i vizave apo heqja e kufijve për vendet e treta është e paimagjinueshme, thotë drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha.

Disa shtete evropiane, në mesin e të cilave Franca dhe Holanda, mendojnë se ende nuk është momenti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në Këshillin e Bashkimit Evropian, kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Por, sipas burimeve diplomatike, Franca dhe Holanda, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën, thirren në mungesën e dëshmive të mjaftueshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.

Ato mendojnë se Komisioni në raportin për Kosovën, ka bërë vlerësimin “në mënyrë tepër formale”, por këto shtete, siç kanë thënë burimet diplomatike, duan më shumë dëshmi "përfshirë edhe përmes verdikteve finale të gjykatave” për dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera të korrupsionit, si dhe dëshmi për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Në rastin e Francës, disa burime në Bruksel thonë se ekziston edhe frika nga rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, në rast të heqjes së vizave.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha shprehet tejet skeptik se gjatë vitit 2021 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave. Në këtë, sipas tij, ndikon edhe mjedisi politik i krijuar pas pandemisë së koronavirusit.

“Disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mendojnë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, respektivisht në luftë kundër korrupsionit të niveli të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga vendosja e këtij kriteri para pesë vjetësh, Kosova ende ka zero raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.

Shasha tha se edhe gjatë votimit të Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën më 23 shkurt, është vërejtur se kishte kundërshtime dhe se eurodeputetët nga radhët e partisë së presidentit francez, Emmanuel Macron, “kundërshtuan çfarëdo gjuhe që do vlerësonte se Kosova ka përmbushur kriteret dhe çfarëdo gjuhe që bënte thirrje për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Jehona Lushaku, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka mbetur te vendimi i Këshillit të ministrave të BE-së, ku shtetet e kanë fuqinë vendimmarrëse.

Ajo shton se shumë shtete anëtare të BE-së, janë skeptike se Kosova duhet të ketë liberalizimin e vizave dhe se skepticizmi bazohet te kriteri me rendin dhe ligjin dhe luftimin e korrupsionit.

"Këto shtet do të mund ta ndryshonin mendimin e tyre nëse Kosova do të vazhdonte të dërgonte mesazhe e statistika të sakta se si është lufta kundër korrupsionit, cili është procesi i reformimit dhe de-fakto i sistemit të drejtësisë. Me gjasë, Kosova nuk po arrin që t’i bindë këto shtete me të dhëna se këto dy kritere janë përmbushur plotësisht", thekson Lushaku.

Lushaku thotë se edhe pse Parlamenti Evropian e ka bërë rekomandimin për liberalizimin e vizave, ende vetë ky institucion i BE-së ka hezitime lidhur me atë nëse Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat.

“Parlamenti Evropian ka skepticizmin e vetë sa i përket pavarësisë së drejtësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë. E dimë se kërkesa është të ketë hetime sa më shumë, të ketë vendime sa më shumë. Korrupsioni të jetë prioritet institucional i institucioneve të rendit dhe ligjit, pa u përzier politika, por ku edhe njerëzit e politikës do të ishin subjekt i hetimeve dhe vendimeve”, tha Lushaku.

Raporti për Kosovën, i miratuar të martën, më 23 shkurt, në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian ka vërejtje se në Kosovë rastet kryesore gjyqësore kanë shkuar tepër ngadalë dhe shpesh dënimet, nëse kanë ardhur, kanë qenë të buta.

Por, shumica e vendeve anëtare të BE-së janë të mendimit se Kosova duhet ta fitojë liberalizimin sepse dukuria e korrupsionit dhe krimit të organizuar është e pranishme edhe në vende tjera që tashmë kanë liberalizim. Po ashtu, me mosliberalizimin e vizave, po vlerësohet se po dënohem më shumë qytetarët sesa ata që vërtetë janë përgjegjës për situatën e krijuar.

Autoritetet në Kosovë vitin e kaluar janë kritikuar nga BE-ja për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion, i cili ishte pjesë e Policisë dhe kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së në Kosovë për sundimin e ligjit, EULEX.

Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian ka përmendur se Kosova është “në fazën e hershme” në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se “nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020, i organizatës ndërkombëtare Transparency International, ka thënë se Kosova është radhitur e 104-ta me 36 pikë, duke shënuar përkeqësim në luftën e korrupsionit, meqë ka rënë për tri pozita më poshtë sesa vitin paraprak./ REL

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?