GJILAN, Kosovë - Ndeshja e Superligës së Kosovës mes Gjilanit dhe Malishevës, e luajtur të martën (6 maj), pa një përplasje të fortë në fushë dhe futbollisti vendas Oltion Bilalli (23 vjeç) u dëmtua rëndë duke pësuar hemorragji të brendshme në kokë, ndërsa vijon të ndodhet nën kujdesin intensiv në Prishtinë, por në gjendje të stabilizuar.
PËRPLASJA - Sulmuesi i skuadrës së Gjilanit, Oltion Bilalli pësoi një dëmtim të rëndë pas përplasjes me portierin Ilir Avdyli. Në tentativë për të gjuajtur me kokë, sulmuesi goditi kundërshtarin e tij dhe përfundoi në tokë me probleme.
NDIHMA DHE DËMTIMI - Ndërhyrja e stafeve mjekësore ishte e menjëhershme, ndërsa lojtari u transportua me urgjencë në spital. Drejtori i Gjilanit, Syart Rrahmani, foli për gjendjen e Bilallit, duke thënë se ka hemorragji të brendshme në kokë.
“Oltioni ka gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Ai do të vëzhgohet më tej nga mjekët dhe është dërguar në QKUK. Ne jemi në Prishtinë, pranë tij”, deklaroi Rrahmani për mediat në Kosovë.
GJENDJA AKTUALE - Ndërkohë që informacionet e fundit nga Kosova thonë se Oltion Bilalli vazhdon të jetë në kujdes intensiv, mirëpo ekzaminimet e fundit mjekësore (të përditësuar sot në orën 12:00) tregojnë për gjendje të stabilizuar, pasi gjakderdhja nuk i është shpërndarë në pjesët e tjera të trurit. Bilalli do të jetë për disa ditë në kujdes intensiv dhe vëzhgim të rreptë të mjekëve. Gjendja e tij do të ndiqet minutë pas minute.
KLUBI I GJILANIT - Presidenca e Gjilanit dhe personat e bordit janë kthyer nga Zvicra dhe po i qëndrojnë pranë futbollistit të tyre në këto orë ankthi.
Oltion Bilalli
Komente
