Paris- Nisi me problematika të të dyshuarve për spiunazh, ndotjes së lumit Sena dhe alarmin nga minjtë, përfundoi po me një alarm sigurie.
Pak para se të niste ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike në Paris 2024, një incident është shënuar në zemrën e kryeqytetit të Francës. Ishte një “spiderman” që vendosi t’i ngjitej strukturës gjigante të hekurt të kullës “Eiffel” dhe të shpërthente panikun te autoritetet dhe qytetarët, pasi menduan se mun d të ishte një terrorist.
Pasi hasën të dyshuarin që ngjitej këmba dorazi dhe pa kushte sigurie, policia franceze urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të kullës dhe mbylljen e saj përkohësisht.
Mediat franceze dhe ato ndërkombëtare që i bënë jehonë episodit, nënvizuan se “alpinisti ishte i paautorizuar për ta bërë këtë veprim”, por nuk e zbuluan identitetin e tij dhe hetimet vijojnë.
Pas vendosjes së qetësisë në kullën emblematike gjithçka vijoi normalisht, teksa autoritetet kapën dhe shoqëruan personin drejt komisariatit për marrje në pyetje, nga ku rezultoi se dhe ai kërkonte “medaljen” e tij, duke ndërmarrë sfidën e rrezikshme dhe nuk kishte lidhje me terrorizmin.