Tirane- Për 4 orë para komisionit hetimor të shëndetësisë, përfaqësuesi i Nismës Thurje, Pano Soko tha se koncesioni i sterilizimit i ka kushtuar dëm ekonomik shtetit dhe se sterilizimi mund të ishte bërë me kosto 10 herë më të ulët.
Soko ngriti edhe dyshimin përse i është dhënë koncesioni i sterilizimit një kompanie pa eksperiencë.
“Kompania koncenionare që fitoi në 2015 koncensionin për sterilizimin në përmbajtje të saj kishte dy kompani që nuk ishin të atij profili që duhej dhe ishte themeluar në Kosovë 1 muaj më parë dhe kishte vetëm një të punësuar. Dhe që këtu filluan indiciet tona, sepse ajo kompani nuk kishte historik financiar sepse ishte krijuar shumë vonë dhe kompani të tilla përfaqësojnë disa aksionerë të fshehtë. Kjo na bëri të mendojmë se kemi të bwjmë me një aferë. Ne i kërkuam prokurorisë që të niste hetimin në bazë të gjykimit tonë për të parë a kemi të bëjmë me një vepër penale, apo kjo ka qenë rrjedhojë e një arsyetimi logjik që i ka kushtuar buxhetit të shtetit”, tha ai.
Në mbledhjen e Komisionit Hetimor, deputetët e opozitës akuzuan se disa institucione nuk kanë kthyer përgjigje dhe kjo po pengon hetimin parlamentar për koncesionet në shëndetësi.
Puna e Komisionit Hetimor përfundon në fund të korrikut, ndërsa pritet që PS dhe PD të dalin me dy raporte të ndryshme për rolin e institucioneve në zbatimin e kësaj kontrate dhe Check-up.
Dhënia me koncesion që prej 2016 e shërbimit të sterilizimit kompanisë Sani-Servis është tashmë në duart e drejtësisë, që akuzon për shkelje në procesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe gjykata i ka miratuar edhe masa sigurie për të akuzuarit, përfshirë edhe ish ministrin Ilir Beqaj.
Dosja është dërguar për gjykim në GJKKO, e cila vendos pasi ish ministri Ilir Beqaj, nën akuzë për shpërdorim detyre, të njihet me aktet paraprake. Bashkë me të dhe biznesmennin Rrapaj nën masën detyrim paraqitje për dosjen e sterilizimit janë edhe 7 persona të tjerë.