Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka deklaruar në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes me Kosovën se lojtarët duhet të tregojnë aftësitë e tyre dhe se e meritojnë ftesën kuqezi.
Për afrimin e lojtarëve nga kampionati shqiptar - Nuk është strategji, ka lojtarë interesantë në Shqipëri, si Guri, që është shfaqur mirë dhe e kemi ftuar, por duhet të tregojë që është për Kombëtare. Ata janë të mirëpritur nga Shqipëria, nëse janë të aftë, i grumbulloj. Por pastaj është arena ndërkombëtare, duhet të tregojnë se e meritojnë atë.
Gjendja e lojtarëve të aktivizuar më pak - Këto miqësore shërbejnë si të gjithë vendet e botës, për t’u takuar, e qartë që janë të lodhur se është fund sezoni, por vendosin seriozitetin në lojë dhe jam i bindur se do të bëjnë mirë. Kush nuk ka 90 minutat, e zëvendësojmë, ky është testi i fundit para ndeshjeve zyrtare dhe i kemi bërë për të krijuar grupin për eliminatoret, ndaj për mua është shumë i rëndësishëm ky grumbullim.
Për lojtarët e grumbulluar - Jam i bindur që kemi lojtarë të mirë, një grup i mirë. Kanë qëndruar në shtëpi disa, por nuk është e thënë që nuk janë edhe në shtator. Mendoj se kam një grup të mirë për të ecur drejt Europianit, jam i bindur që kemi shanse të fitojmë grupin tonë, kemi mundësi të mira.