Ansi Agolli nuk do të jetë rikthimi i vetëm në radhët e përfaqësueses shqiptare pas dështimit të thuajse të gjithë provave që ka bërë trajneri i përfaqësueses, Kristian Panuçi, gjatë vitit të fundit. Për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Skocisë, në radhët e kuqezinjve do të jenë edhe dy emra të cilët ishin harruar prej kohësh në përfaqësuese, Migjen Basha dhe Ledjan Memushaj.
Panuçi kishte vendosur që të ndryshonte thuajse plotësisht mesfushën, duke lënë jashtë të vjetrit për të afruar emra të rinj si Ramadani, Ndoj, Lilaj e Qaka, të cilëve do t’u bashkonte Abrashin dhe Xhakën. Por kuqezinjtë kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe mosaktivizimi apo forma që kanë shfaqur disa lojtarë ka shtyrë trajnerin që t’u besojë përsëri veteranëve.
Të dy ishin thirrur për herë të fundit me përfaqësuesen në miqësoren e nëntorit 2017 ndaj Turqisë. Por Basha mbërriti i dëmtuar në Antalia dhe u kthye përsëri në Itali, ndërsa Memushaj u ndëshkua me karton të kuq në atë sfidë.
Që atëherë, asnjë prej tyre nuk ka parë më fanellën kuqezi dhe as nuk është grumbulluar nga Panuçi, ndonëse Basha luante rregullisht me klubin e tij, ndërsa Memushaj ishte mes atyre që kishin nevojë për një dorë pasi nuk aktivizohej te Benevento.
Të dy lojtarët kanë marrë ftesa gjatë këtyre ditëve për grumbullimin e shtatorit dhe do të veshin përsëri fanellën kuqezi, me të cilën arritën maksimumin duke u kualifikuar në Europian, ku të dy ishin titullarë në ndeshjen historike ndaj Rumanisë.