Mjekët janë të çmuar, por duhen mbajtur sa më larg të jetë e mundur" Shaka por e vërtetë. Një thënie e Papa Françeskut katër vjet më parë te mjeku dhe gazetari argjentinas Nelson Castro, gjatë një interviste që përmbyllte librin për shëndetin e Papëve.
Bergoglio nuk ka qenë kurrë një pacient i lehtë. "Vendos kufij", kishte shpjeguar ai, duke treguar se si në fillim të pontifikatit i kishin zbuluar "një njollë të errët" në radiografinë e kraharorit, por ai kishte refuzuar të bënte një rezonancë magnetike me kontrast për shkak të alergjisë së tij ndaj jodit. Nuk bëhej fjalë për këtë: "Radiologu mbeti i habitur nga refuzimi im i prerë dhe i tha mjekut të Vatikanit: 'E tani çfarë bëjmë?'. Ai u përgjigj: 'Me karakterin që ka ky Papë, mos u habisni nëse ngrihet dhe largohet. Për momentin, më mirë të mos insistojmë'". Françesku e tregonte këtë histori duke qeshur: "Besoj se i kam dhënë përshtypjen e një njeriu me karakter të vështirë".
Dhe, në fakt, nuk ka qenë kurrë e lehtë ta bindësh. Në fund të fundit, e njëjta gjë ka ndodhur edhe kësaj here.
Prej disa javësh, Papa nuk ndihet mirë. Megjithatë, më 9 shkurt, në të dielën e Jubileut të Forcave të Armatosura, ai ishte ulur në sheshin e Shën Pjetrit për më shumë se dy orë. Katër ditë më parë, gjatë audiencës së përgjithshme, ai e kishte ndaluar leximin pothuajse menjëherë: "Dua të kërkoj falje sepse, me këtë të ftohtë të fortë, është e vështirë për mua të flas. Prandaj, i kërkova vëllait tim të lexojë katekizmin. Do ta lexojë më mirë se unë".
Nuk ishte thjesht një ftohje. Të nesërmen, Selia e Shenjtë njoftoi se "për shkak të një bronkiti nga i cili vuan këto ditë, dhe për të vijuar aktivitetin e tij, të premten dhe të shtunën, 7 dhe 8 shkurt, audiencat e Papa Françeskut do të zhvillohen në Casa Santa Marta". Ai nuk ishte shtrirë në shtrat, por të paktën kishte pranuar t’i mbante takimet e tij të përditshme – rreth dhjetë audienca në ditë – në hotelin e Vatikanit ku banon që nga zgjedhja e tij.
Nuk ishte as e domosdoshme dhe as e këshillueshme që të dielën të drejtonte meshën në ambient të hapur, aq më tepër në një ditë me erë dhe ende mjaft të ftohtë. Por Françesku është i tillë: nuk kursen veten kurrë. Për më tepër, në homeli po komentonte një pasazh ungjillor në të cilin, siç vuri në dukje, "Jezusi nuk është i shqetësuar për të kryer një detyrë", por "përkundrazi, gjithmonë vë në radhë të parë takimin me të tjerët". Megjithatë, shihej që nuk ndihej mirë. Zëri i ngjirur, fytyra e lodhur dhe rrathët e errët poshtë syve.
Ashtu si të mërkurën e mëparshme, leximi i tekstit nuk zgjati shumë – ai kaloi disa fraza të para, pastaj hodhi një vështrim te tre fletët e mbetura dhe psherëtiu: "Tani kërkoj ndjesë dhe i kërkoj mjeshtrit të vazhdojë leximin për shkak të vështirësive në frymëmarrje".
Megjithatë, Bergoglio nuk tregonte asnjë shenjë se do të ulte ngarkesën e tij. Po planifikohej një vizitë në Cinecittà dhe takimet për Vitin Jubilar po shtoheshin. Madje, ai tregonte njëfarë padurimi vetëm pse duhej të rrinte në Santa Marta, si i izoluar: "Jam i sëmurë, kam bronkit, jetoj këtu dhe nuk mund të dal", rrëfeu i dëshpëruar teksa, një ditë pas meshës në shesh, priti rektorin e xhamisë së madhe të Parisit.
Ndoshta prej atëherë kishte nisur terapinë me antibiotikë dhe kortizon, pasi fytyra i ishte ënjtur. Në mbrëmjen e 10 shkurtit, në natën hapëse të festivalit të Sanremos, u transmetua një videomesazh i regjistruar në fillim të muajit.
Vetëm pas shtrimit në spital u mësua se javën e kaluar ai kishte bërë një vizitë të shkurtër dhe sekrete në spitalin Gemelli në Isola Tiberina, pranë Vatikanit, për disa kontrolle dhe analiza. Të mërkurën e kaluar, ai u rikthye për audiencën e përgjithshme në Sallën Nervi dhe, sërish, hoqi dorë nga leximi: "Me bronkitin tim ende nuk mundem. Shpresoj që herën tjetër të mundem".
Prej vitesh, ai nuk ka më një mjek personal, një "arkiatër"; në raste nevoje, thërret specialistë. Për ditë të tëra, mjekët ishin përpjekur ta bindnin të shtrohej në spital. Në Santa Marta, shumë njerëz ishin të shqetësuar: "Terapia është e pavlefshme nëse më pas del jashtë". Por Françesku rezistoi deri në fund: "Duan të më çojnë në spital, por unë ndihem më mirë dhe do të preferoja të trajtohesha në shtëpi", psherëtiu ai të premten në mëngjes, kur shtrimi i tij në Gemelli tashmë ishte vendosur. Megjithatë, edhe atë mëngjes ai insistoi të përfundonte audiencat e programuara përpara se të largohej. /Corriere della Sera/
Komente
