Vatikani ka publikuar sot imazhin e parë të Papa Françeskut që nga shtrimi i tij në spital më 14 shkurt. Edhe pse ka vazhduar të jetë i pranishëm përmes mesazheve të shkruara, Papa argjentinas nuk ishte parë në publik që nga hyrja në spital.
Shfaqja e tij e parë me zë ndodhi më 7 mars, kur një audio e tij u transmetua në Sheshin Shën Pjetër gjatë lutjes së mbrëmjes së Rruzares.
Tani ka dalë edhe fotografia: "Këtë mëngjes, Papa Françesku bashkëmeshoi në kapelën e apartamentit në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli".
Në tekstin e lutjes së Engjëllit të Zotit, të shpërndarë nga Vatikani, Papa ka falënderuar fëmijët që kanë shkuar në Gemelli për ta mbështetur. Ai e përshkruan situatën e tij si një "periudhë prove" dhe "dhimbjeje", por që ndriçohet nga "rrezja" e "kujdesit të dashur" të mjekëve dhe infermierëve. Edhe pse është i dobësuar dhe e ndan këtë gjendje me shumë të sëmurë të tjerë, Papa thekson se "asgjë nuk mund të na pengojë të duam, të lutemi, të japim veten, të jemi për njëri-tjetrin shenja të ndritshme shprese në besim".
Për fëmijët: "Pres t'ju takoj"
Pasi komentoi shkurtimisht Ungjillin e ditës mbi shndërrimin e Jezusit, Papa iu drejtua besimtarëve: "Ndaj me ju këto mendime ndërsa po kaloj një periudhë prove dhe bashkohem me shumë vëllezër dhe motra të sëmurë, të brishtë, si unë në këtë moment. Trupi ynë është i dobët, por asgjë nuk mund të na ndalojë të duam, të lutemi dhe të jemi dritë shprese për njëri-tjetrin".
"Dritë e madhe shkëlqen në spitale dhe qendrat e kujdesit shëndetësor! Sa shumë dashuri dhe përkujdesje ndriçojnë dhomat, korridoret dhe ambientet ku ofrohen shërbime, madje edhe më të përulurat! Prandaj, sot dua t'ju ftoj të lavdërojmë së bashku Zotin, i cili nuk na braktis kurrë dhe që në momentet e dhimbjes na vendos pranë njerëz që reflektojnë një rreze të dashurisë së Tij. Ju falënderoj të gjithëve për lutjet tuaja dhe falënderoj ata që më ndihmojnë me aq përkushtim. E di", shton Papa Françesku, "se shumë fëmijë luten për mua; disa prej tyre kanë ardhur sot këtu në Gemelli si shenjë afërsie. Faleminderit, fëmijë të dashur! Papa ju do dhe pret gjithmonë t'ju takojë".
Një grup i vogël fëmijësh, disa me pankarta, disa me tullumbace me ngjyrat e Vatikanit – të bardhë dhe të verdhë – dhe disa me lule e vizatime, u mblodhën për të lutur për Papën poshtë statujës së Gjon Palit II, përballë hyrjes së spitalit Gemelli, poshtë dritareve të katit të dhjetë, ku ndodhet apartamenti papnor.
Përparime, por me kujdes
Mjekët konfirmuan dje përmirësimet në gjendjen shëndetësore të Papës gjatë javës së fundit, por për momentin përjashtuan kthimin e tij në Vatikan. Në buletinin mjekësor thuhej se "ai ende ka nevojë për terapi mjekësore në spital". Raporti i ardhshëm shëndetësor nuk pritet para të martës, pasi mjekët duan më shumë kohë për të vlerësuar stabilitetin e situatës.
Nxitja për Sinodin
Në mesazhin e lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa përmendi gjithashtu vendimin e tij të 11 marsit për të çuar përpara procesin sinodal, duke thirrur një asamble botërore kishtare në Vatikan në tetor 2028. "Le të lutemi për Kishën, e cila është thirrur të përkthejë në vendime konkrete reflektimet e bëra në asamblenë e fundit sinodale", shkroi Papa Françesku. "Falënderoj Sekretariatin e Përgjithshëm të Sinodit, që në tre vitet e ardhshme do të udhëheqë Kishat lokale në këtë angazhim".
Si çdo të diel, Papa kërkoi gjithashtu lutje për paqen, veçanërisht në vendet e goditura nga lufta: "në Ukrainën e martirizuar, Palestinë, Izrael, Liban, Myanmar, Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos".
Sot në mbrëmje, lutja e zakonshme e Rruzares në Sheshin Shën Pjetër do të organizohet nga Akademia Papnore Eklesiastike, shkolla që përgatit të ardhshmit ambasadorë të Vatikanit.
Komente
