ROME - Papa Françesku, i cili ndodhet i shtruar në spitalin Gemelli që nga e premtja e kaluar, vuan nga "pneumonia bilaterale" dhe gjendja e tij klinike "është e ndërlikuar".
Buletini i spitalit Gemelli publikuar në pasditen e djeshme tregon se situata e Papa Françeskut, 88 vjeç, është më delikate se kurrë: "Analizat laboratorike, radiografia e kraharorit dhe gjendja klinike e Atit të Shenjtë vazhdojnë të paraqesin një tablo të ndërlikuar," thuhet në deklaratë. Skaneri i kraharorit, të cilit Papa iu nënshtrua pasditen e djeshme, "ka treguar shfaqjen e një pneumonie bilaterale, e cila ka kërkuar një terapi shtesë".
Ndërkohë të mërkurën në mëngjes, Selia e Shenjtë bëri të ditur se Papa 'ka kaluar një natë të qetë, është zgjuar dhe ka ngrënë mëngjesin".
Papa kishte dy javë që nuk ndihej mirë dhe u shtrua në spital të premten për një "infeksion të rrugëve të frymëmarrjes". Analizat e kryera deri të hënën kishin zbuluar një "infeksion polimikrobial", pra praninë e baktereve dhe mikroorganizmave të ndryshëm në rrugët e frymëmarrjes. Tani shpjegohet se ky "infeksion polimikrobial" është "shfaqur në një situatë me bronkiektazi" — zgjerime të pakthyeshme të bronkeve për shkak të dëmtimit të mureve bronkiale — dhe "bronkit astmatiform", i cili shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe gulçim, simptoma që Papa i shfaqte edhe para shtrimit në spital. E gjithë kjo, thuhet në buletin, "ka kërkuar përdorimin e një terapie kortizonike dhe antibiotike, duke e bërë trajtimin më kompleks".
Nga spitali Gemelli bëhet e ditur se, "pavarësisht gjithçkaje", Papa "është me humor të mirë". Dita ka kaluar si zakonisht; ai ka marrë eukaristinë dhe ka alternuar pushimin me lutjen dhe leximin e librave. Papa "falënderon për mbështetjen që ndien në këtë moment dhe kërkon, që të vazhdohet të lutet për të".
Gjatë gjithë ditës, nga Selia e Shenjtë kanë ardhur mesazhe qetësuese, aq sa e lejonte situata. Papa ka kaluar "një natë të qetë", të katërtën që nga shtrimi, ka ngrënë mëngjesin dhe ka lexuar gazetat. Madje, fakti që flitej jozyrtarisht për një shtrim relativisht të gjatë, dy ose tre javë, shihej si një shenjë e mirë: një ecuri e ndërlikuar, por e parashikueshme dhe e menaxhueshme.
Megjithatë, skaneri dhe diagnoza e pneumonisë bilaterale tregojnë se situata është më e ndërlikuar nga sa mendohej. Edhe pse theksohet se parametrat e tij, duke marrë parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore, mbeten përgjithësisht të qëndrueshëm.
Që dje, nga spitali kishin filluar të rridhnin lajme më pak optimiste, duke treguar përkeqësimin e gjendjes së Papës. Problemi, sipas burimeve, është se Papa Françesku mbërriti në spital "me një sistem imunitar të dobësuar" për shkak të terapisë kortizonike që kishte ndjekur para shtrimit, me qëllim lehtësimin e frymëmarrjes.
Që Papa po merrte kortizon u bë e qartë nga fytyra e tij e fryrë gjatë daljeve të fundit publike. Ai vazhdoi të priste njerëz në audienca, ndonëse duke qëndruar në hotelin e Vatikanit, Santa Marta, në vend që të shkonte në Pallatin Apostolik. Madje, ndonëse nuk ndihej mirë, mbajti dy audienca të përgjithshme dhe kremtoi meshën në Sheshin e Shën Pjetrit më 9 shkurt, duke qëndruar jashtë për më shumë se dy orë. Kjo përkeqësoi infeksionin bronkial, duke çuar në pneumoninë që prej ditësh kishte qenë një shqetësim dhe që tani është konfirmuar.
Papa Françesku, për më tepër, ka pasur edhe më parë pneumoni. Më 29 mars 2023, ai u ndje keq pas një audience të përgjithshme dhe u shtrua me urgjencë, sërish në spitalin Gemelli. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për bronkit, por vetë Papa më vonë zbuloi se kishte qenë "një pneumoni e fortë dhe akute, në pjesën e poshtme të mushkërive".
Duke qeshur, Bergoglio u kishte treguar gazetarëve një histori që i kishte thënë dikur një plak: "Atë, unë e kam parë vdekjen të vijë, dhe nuk është aspak e bukur!".
Ishte shtrimi i tij i dytë në Gemelli, pas atij të 4 korrikut 2021 për një bllokim të zorrëve. Shtrimi i tretë ndodhi më 7 qershor 2023, për një tjetër ndërhyrje në zorrë.
Ndërkohë, gjendja e përgjithshme shëndetësore e Papës është më e brishtë se në shtrimet e mëparshme. Dhimbja në gju, për shkak të artrozës, vazhdon prej vitesh dhe e ka detyruar të lëvizë pothuajse gjithmonë me karrocë. Ndonjëherë arrin të ecë me bastun, por midis dhjetorit dhe janarit ai është rrëzuar dy herë, duke pësuar një mavijosje në mjekër dhe një tjetër në krah. Për pasojë, ai lëviz më pak, çka ka çuar në një shtim peshe, duke e vështirësuar edhe më shumë frymëmarrjen. Muajt e ftohtë janë më të vështirë për të dhe dy dimrat e fundit kanë kaluar mes gripit, ftohjeve dhe bronkiteve. /Corriere della Sera/
Komente
