Papa Françesku

Bota

Papa Françesku mbetet në gjendje kritike, mjekët: Ka një dëmtim të lehtë të veshkave! Janë dhënë transfuzione dhe oksigjen, por është i vetëdijshëm

23 Shkurt, 22:29| Përditesimi: 23 Shkurt, 22:46

  • Share

Gjendja e Papa Françeskut vazhdon të jetë kritike, por që nga mbrëmja e djeshme nuk ka pasur më kriza të reja respiratore.  Ati i Shenjtë është vigjilent, i vetëdijshëm dhe ka marrë pjesë në meshë.Këto janë informacionet e para të publikuara në buletinin mjekësor të së dielës, 23 shkurt, nga Poliklinika Gemelli.

Sipas raportit, Papa ka marrë dy njësi të qelizave të kuqe të gjakut, gjë që ka ndihmuar në rritjen e nivelit të hemoglobinës. Ndërkohë, niveli i trombociteve mbetet i ulët, dhe disa analiza të tjera kanë treguar shenja të një insuficience të lehtë renale (dëmtim i lehtë i veshkave), e cila aktualisht është nën kontroll. Ai vazhdon të marrë terapi me oksigjen me rrjedhje të lartë përmes kanulave nazale (tuba të hollë plastikë që vendosen në hundë për të furnizuar pacientin me oksigjen). 

Mjekët theksojnë se kompleksiteti i situatës klinike dhe koha e nevojshme për të vlerësuar efektin e terapive mjekësore e bëjnë të domosdoshme që prognoza të mbetet e rezervuar.

Nga bronkiti në pneumoni bilaterale, rreziku kryesor mbetet sepsa

Papa Françesku, 88 vjeç, është shtruar në spital që prej 14 shkurtit, pasi një bronkite e rëndë ka evoluar në pneumoni bilaterale, e shkaktuar nga disa lloje infeksionesh.

Të premten, gjatë një konference për shtyp, mjekët e Poliklinikës Gemelli e përshkruan gjendjen e tij si kritike, duke theksuar se nuk është jashtë rrezikut. Ata nënvizuan se rreziku më i madh është sepsa, pra përhapja e infeksionit në gjak.

Të shtunën në mëngjes, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm: një krizë e rëndë respiratore me karakteristika astmatiforme e zgjatur për një kohë të gjatë, bëri të nevojshme përdorimin e oksigjenit me rrjedhje të lartë. Analizat e gjakut treguan piastrinopeni (nivel i ulët i trombociteve) dhe anemi, duke bërë të nevojshme kryerjen e transfuzioneve të gjakut.

Një natë e qetë, por shqetësimi mbetet

Të dielën në mëngjes, Vatikani njoftoi se Papa kishte kaluar një natë të qetë dhe kishte pushuar. Megjithatë, si një ditë më parë, nuk u dhanë detaje për aktivitetet e tij të zakonshme të mëngjesit, si leximi i gazetave apo i mesazheve.

Kisha lutet për shërimin e Atit të Shenjtë

Në mbarë Kishën Katolike, shqetësimi për gjendjen e Papës është bërë i ndjeshëm. Të dielën në mbrëmje, Kardinali Matteo Zuppi, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, do të drejtojë një lutje me rruzare për shëndetin e tij. Ndërkohë, Monsinjor Rino Fisichella, i cili sot lexoi homelinë e përgatitur nga Papa gjatë meshës jubiliare, ka lutur Zotin që ta ndihmojë Atin e Shenjtë në këtë moment prove dhe sëmundjeje.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?