Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka publikuar një mesazh lutjeje për shërimin e Papa Françeskut, duke e cilësuar atë një udhëheqës shpirtëror dhe një zë të fortë të së vërtetës në kohë sfidash.
Ajo kujton pritjen e ngrohtë që shqiptarët i bënë Atit të Shenjtë gjatë vizitës së tij në 2014 dhe thekson rëndësinë e udhëheqjes së tij morale për botën. Spiropali shpreh shpresën për shërimin e shpejtë të Papës dhe e mbyll mesazhin me fjalët se e presin të buzëqeshur pas daljes nga spitali.
Mesazhi i Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali:
“Shenjtëri Papa Françesku,
Në këto ditë kur nga e gjithë bota arrijnë mesazhe e lutje për shëndetin Tuaj, po J'u dërgoj një të tillë nga një vend i dashur për Ju, që e zgjodhët të parin në Europë për ta vizituar. E përcjell këtë mesazh e këtë lutje për shëndetin Tuaj në emër të një fjale: “pritje”. Pritja është një fjalë e fuqishme e mjaft kuptimplotë në Ungjill. Shqiptarët Ju priten me dashuri e zemër të ngrohtë në shtatorin e 2014-s. Pritën martirët e besimit bekimin e shpalljen e lumnimit Tuaj për ta.
E tani me plot shpresë presim edhe ne shërimin Tuaj! Udhëheqja shpirtëtore e Kishës Katolike dhe referenca Juaj morale për krejt botën është përherë e rëndësishme, por veçanerisht sot kur kohërat po dëshmojnë se asnjë arritje shoqërore e politike në mbrojtje të së mirës së përbashkët dhe të dinjitetit të njeriut nuk duhet të merret kurrë e mirëqenë.
Zëri Juaj është një jehonë e tingull i fortë i së vërtetës, ndaj lutja ime i bashkohet lutjeve të familjes së madhe shpirtërore që ju qëndron afër.
Mënyra sesi Ju i jeni qasur momenteve të vështira të shëndetit është një dëshmi e rrallë se si çdokush duhet ta përballojë sëmundjen. E kujtoj përherë, nëpërmjet mediave, buzëqeshjen Tuaj në dyert e spitalit. Të buzëqeshur Ju presim duke dalë prej tij.
Krishti në Ungjill ka shëruar përherë me dashuri, ndaj me dashamirësi të thellë Ju uroj shërim të shpejtë e të plotë.”
Komente
