Ende me tubat e oksigjenit dhe i shoqëruar me karrocë Papa Françesku u paraqit publikisht për herë të parë që prej largimit nga poliklinika Gemelli dy javë më parë.
Nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, udhëheqësi i Kishës Katolike përshëndeti besimtarët në fund të meshës për jubileun e të sëmurëve dhe botës së shëndetësisë:
"Sigurisht që sëmundja është një nga provat më të vështira dhe më të ashpra të jetës, në të cilën prekim me dorë sa të brishtë jemi. Ajo mund të na bëjë të ndjehemi si populli në mërgim, ose si gruaja e Ungjillit: pa shpresë për të ardhmen. Por nuk është kështu. Edhe në këto momente, Zoti nuk na lë vetëm dhe, nëse i dorëzohemi Atij, pikërisht aty ku na mungojnë forcat tona, mund të përjetojmë ngushëllimin e pranisë së Tij.
Të dashur vëllezër dhe motra të sëmurë në këtë moment të jetës sime ndaj shumë gjëra: përvojën e sëmundjes, të ndjeshmërisë ndaj dobësisë, të varësisë nga të tjerët për shumë gjëra, të nevojës për mbështetje. Nuk është gjithmonë e lehtë, por është një shkollë ku mësojmë çdo ditë të duam dhe të lejojmë të na duan, pa pretenduar dhe pa refuzuar, pa pendesë dhe pa dëshpërim, mirënjohës ndaj Zotit dhe vëllezërve për të mirën që marrim, të dorëzuar dhe plot besim për atë që ende duhet të vijë”, tha ai.
Papa Françesku u shtrua në spital më 14 shkurt ku pasi u kurua për 5 javë me pneumoni, doli të dielën e 23 marsit. Gjatë gjithë kësaj periudhe Ati i Shenjtë nuk doli kurrë në dritaren e katit të dhjetë dhe për pesë javë me radhë të dielave, Vatikani shpërndau tekstin që ai kishte përgatitur ose miratuar për Engjëllin e mesditës.
Gjatë 38 ditëve, Bergoglio u shfaq dy herë: me një mesazh zanor të shpërndarë mbrëmjen e 6 marsit në Sheshin Shën Pjetri me rastin e rruzares që gjatë atyre javëve Kuria romake e mbajti për të lutur për shëndetin e tij, dhe më pas përmes një fotografie të publikuar më 16 mars nga zyra e shtypit e Vatikanit.
Papa Françesku u shfaq sërish në publik ditën që doli nga spitali Gemelli, nga një tarracë në katin e pestë të poliklinikës, pak pas orarit të Engjëllit, dhe menjëherë para se të kthehej në Vatikan. Që prej asaj dite Papa nuk ishte parë më deri këtë të diel pasi po kalon kohën e rikuperimit në rezidencën e tij në Vatikan, shtëpinë Shën Marta.
Komente
