Të krishterët palestinezë homazhe për Papën në kishën katolike të Gazës

Bota

Papa Françesku telefononte çdo ditë në Kishën e vetme katolike të Gazës, prifti zbulon bisedën e fundit: Dha bekimin e tij për të gjithë

22 Prill, 08:28| Përditesimi: 22 Prill, 08:38

  • Share

Të krishterët nga e vetmja Kishë Katolike e Gazës i kanë bërë homazhe Papa Françeskut, i cili për më shumë se një vit e gjysmë telefononte në Kishë për të dhënë kurajo, lutje dhe bekim mes vuajtjeve të luftës.

“Më shumë se një vit e gjysmë telefononte çdo ditë, çdo ditë – kërkonte të ndihmonte njerëzit, të mbroheshin fëmijët. Ishte një shërbëtor i përulur i Zotit. E humbëm në një ditë të shenjtë, të Pashkëve – për ne, një shenjë mëshire hyjnore”, u shpreh At Gabriel Romanelli për Sky News.

Sipas At Romanellit, telefonata e fundit ishte të shtunën, vetëm dy ditë para vdekjes së Papës.

“Na falënderoi për gjithçka që bëmë këtu, dhe dha bekimin e tij për të gjithë popullin në Gaza, jo vetëm për të krishterët, por për të gjithë qytetarët,” tregoi ai.

George Antone, drejtues i komitetit të emergjencës pranë kishës, tha për Reuters: “Çdo ditë, Papa Françesku ishte me ne. Luftoi për ne në çdo drejtim. I thoshte secilit prej nesh: ‘Jam me ju, mos kini frikë’. Humbëm një shenjtor.”

Që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor 2023, Papa Françesku ka qenë një ndër zërat më të fortë ndërkombëtarë që ka dënuar dhunën nga të dyja palët, duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe një zgjidhje të drejtë me dy shtete. Ai e dënoi publikisht vrasjen e dy grave të krishtera palestineze dhe kërkoi një hetim ndërkombëtar për akuzat ndaj Izraelit për krime lufte – të cilat Tel Avivi i ka mohuar kategorikisht.

Në mesazhin e tij të fundit, të dielën e Pashkëve, ai përsëriti thirrjen për paqe, duke e bërë edhe më të thellë ndikimin e tij te besimtarët në Gaza. Për komunitetin e vogël katolik atje, Papa Françesku nuk ishte vetëm kreu i Kishës, por një zë i përditshëm shprese në mes të errësirës.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?