Sociale

Lamtumira e kryepeshkopit/ Në katedrale lexohet letra e Papa Françeskut: U impenjua në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera

30 Janar, 18:52| Përditesimi: 30 Janar, 19:05

  • Share

1738259649_PapaFrancesku.jpg

Papa Françesku

Në ditën e varrimit të kryepiskopit ortodoks Anastas Janullatos, Papa Françesku, në një letër, që u lexua gjatë funeralit nga kreu i delegacionit të Vatikanit, kujton takimin e tij me të ndjerin gjatë vizitës në Shqipëri, nënvizon impenimin e tij për të depërtuar në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, pa e humbur bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse, si edhe kontributin në dialogun e në bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera

Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit

Pikërisht sot, Papa Françesku i shkruan mitropolitit të Korçës, Hirësisë së tij Joanit, i cili kryen aktualisht funksionet e nevojshme për të çuar përpara jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare, derisa të mblidhet Sinodi i saj, i cili, 40 ditë pas vdekjes së kryepiskopit Anastas, do të zgjedhë kreun e ri. Atij, Sinodit, klerit dhe gjithë besimtarëve ortodoksë, Ati i Shenjtë Françesku u shpreh ngushëllimet për humbjen e kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke u siguruar lutjet që Zoti, Ati ynë i mëshirshëm, ta vlerësojë për punën e lodhjen.

“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare - shkruan Papa Françesku, në mesazhin e lexuar gjatë funeralit nga imzot Flavio Pace - sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit. Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë, si edhe janë të dashura për mua përqafimi vëllazëror dhe fjalët e shkëmbyera me atë rast.

Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe shërbesës së tij si prift dhe peshkop – vijon Ati i Shenjtë - ai tregoi gjithmonë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe duke e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. E bëri këtë, duke ndjekur shembullin e Shën Palit apostull, i cili iu përkushtua aq shumë Krishtit sa mundi të thoshte: "Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin" (1 Kor 9, 22).

Duke marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, deshi të depërtonte në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, veçanërisht në traditën dhe identitetin e tyre, pa e humbur asnjëherë bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse. Njëkohësisht, u impenjua me vullnet të mirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Kur mbërriti në Shqipëri – thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë  - disa priftërinj e pritën me urimin e Pashkëve në greqisht “Christos Anesti!”. Ai u përgjigj shqip, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për të jetuar me popullin dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila mposht çdo errësirë​​ dhe shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.

Tani që jeta e tij tokësore arriti në fundin e saj – e mbyll Papa letrën, që mban datën e 27 janarit - lutem që, me mëshirën e Zotit, Atit të Gjithëpushtetshëm, Fortlumturia e Tij ta lëvdojë në amshim Trininë Shenjte, së bashku me të gjithë dëshmitarët e fesë dhe barinjtë, që u kanë shpallur fjalën e shpëtimit popujve, kudo dhe në çdo kohë”./ Vatican News


Lajmi kryesor:

Lamtumira për kryepeshkopin/ Rama: Erdhi si prift nga Greqia, iku si Anastasi i Shqipërisë! Mitsotakis: Diplomati i dashurisë, urë miqësie mes 2 popujve


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?