Guxim dhe këmbëngulje. Papa Leon bën sërish thirrje për paqe në botë dhe u bën apel këtyre dy virtyteve për ata që mbajnë përgjegjësi politike. Nëse ditët e kaluara Papa i ri kishte vënë në dispozicion Vatikanin si një vend ku armiqtë mund të negociojnë, Robert Francis Prevost nuk resht së luturi për paqen edhe tani që Moska ka refuzuar mundësinë e një takimi për Ukrainën në Romë.
“Lutja jonë përfshin të gjitha popujt që vuajnë për shkak të luftës”, tha Leon XIV në lutjen Regina Coeli në mesditë, të parën që ai e recitoi nga dritarja e pallatit apostolik: “T’i kërkojmë Zotit kurajë dhe këmbëngulje për të gjithë ata që janë të angazhuar në dialog dhe në kërkimin e sinqertë të paqes”.
Tema e paqes përshkoi gjithë ditën e Papës, i cili dje u vendos zyrtarisht si ipeshkëv i Romës, duke marrë në zotërim, mes duartrokitjeve të besimtarëve, katedrën e tij në San Giovanni in Laterano. Pasditja romake e Leones nisi në Kapitolin, ku Papa i ri bëri ndalesën tradicionale për të nderuar qytetin e Romës. Prevost riktheu një traditë të lashtë: një ndalesë të shkurtër në Piazza dell’Aracoeli, në fund të shkallëve të Mikelanxhelos, përgjatë "udhëtimit" që Papët bënin për të shkuar drejt Lateranit.
“Menjëherë pas zgjedhjes”, tha Leone, “u kujtova vëllezërve dhe motrave të mbledhur në sheshin Shën Pjetër se jam me ta si i krishterë dhe për ta ipeshkëv: sot, në mënyrë të veçantë, mund të them se jam romak për ju dhe me ju”.
Kryetari i bashkisë Roberto Gualtieri theksoi se “paqja është thirrja më e fuqishme universale e Romës”. “Paqe mbi ju” ishin fjalët e para të Papës mbrëmjen e tymit të bardhë, “paqe mbi ju” janë fjalët që Leone përsëriti duke dalë në ballkonin e San Giovannit, katedralja e ipeshkvit të Romës, duke ftuar besimtarët, gjatë jubileut të shpresës, që të dëshmojnë shpresën “në një botë që vuan shumë, shumë dhimbje nga luftërat, dhuna, varfëria”.
Gjatë meshës, Prevost përmendi Gjon Palin I, Papën që qeverisi vetëm për 33 ditë, i fundit që kishte ndaluar në Kapitol sipas mënyrës së ndjekur dje nga Papa i ardhur nga Amerika, për t’u prezantuar: “Mund t’ju siguroj se ju dua, se dëshiroj vetëm të hyj në shërbimin tuaj dhe të vë në dispozicion të gjithëve forcat e mia të pakta, atë pak që kam dhe që jam”.
Përpara se të kthehej në Vatikan, Papa vizitoi zyrtarisht bazilikën e fundit nga katër bazilikat papnore (përveç Shën Pjetrit, ku filloi pontifikatin një javë më parë, dhe Shën Palit Jashtë Mureve, të cilën e vizitoi të martën), Santa Maria Maggiore. Aty u lut përpara ikonës së Maria Salus Populi Romani, “që ka shoqëruar kaq herë popullin e Romës në nevojat e tij”, dhe ndaloi përpara varrit të Shën Françeskut./La Repubblica
Komente
