Papa Leoni XIV i ka dërguar një letër zyrtare Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Joanit, me rastin e zgjedhjes së tij si Peshkop i Romës dhe Papë i Kishës Katolike.
Ai e ka ftuar atë për kremtimin e Meshës Solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, që do të mbahet më 18 maj 2025.
'Fortlumturisë së tij, Joanit kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. “Hiri dhe paqja qofshin me ju me bollëk në njohjen e Perëndisë dhe të Jezu Krishtit, Zotit tonë” (2 Pjetrit 1:2).
Me ndjenja dashurie vëllazërore, kam nderin të njoftoj Fortlumturinë Tuaj se, pas zgjedhjes sime si Peshkop i Romës dhe Papë i Kishës Katolike, inaugurimi i shërbesës sime Petrine, do të kremtohet me një Meshë Solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, më 18 maj 2025.
Ju lutem përzemërsisht të më kujtoni në lutjet Tuaja, që me ndihmën e Perëndisë së Gjithëpushtetshëm, të mund t’i shërbej me denjësi Zotit dhe Kishës së Tij, në përmbushje të plotë të thirrjes sime.
Me gëzim të madh e shfrytëzoj këtë rast për të shkëmbyer me Fortlumturinë Tuaj një përqafim paqeje në Krishtin e Ngjallur. Nga Vatikani, 8 maj 2025. LEO PP. XIV’, thuhet në letër.
Komente
