Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Dom Mark Pashkja, ishte i ftuar këtë të premte në Report Tv për të folur në lidhje me zgjedhjen e Papës së ri, Leoni i XIV.
Dom Pashkja tha se zgjedhja e kardinalit Robert Francis Prevost si Papë ishte suprizues për faktin se nuk bënte pjesë në emrat më të lakuar për pasues të Papa Françeskut, por nga tjetër, ishte e pritshme zgjedhja e tij duke marrë parasysh reputacionin që gëzon në Kolegjin e Kardinalëve.
“Edhe në këtë Konklavë u vërtetua ajo shprehja klasike që përdoret në të tilla raste se “kush në Konklavë hyn Papë, del kardinal, dhe në fakt kush hyn kardinal del Papë”. Ishte padiskutim një zgjedhje deri diku surprizuese në sensin e mos daljes si Papë e të gjitha atyre figurave që kuotoheshin apo që merreshin si të mirëqena se do të jenë pasardhësit e Françeskut, por nga ana tjetër kemi të bëjmë me një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë, një person që në vetveten e tij mishëron një përvojë të gjatë kishtare të shtrirë në 3 kontinentet. Do të thotë siç dihet ka lidnur në Çikago, në SHBA. Një pjesë e mirë e jetës është zhvilluar në Peru në Amerikën Latine dhe mes periudhës studimore të thellimeve akademike dhe pastaj përvojën e fundit si ministër, si prefekt i digasterit për ipeshkvinjtë, të zhvilluar në Romë. Është një person që në një farë mënyre njeh shumë mirë kishën. Njeh shumë mirë globalitetin. Ka qenë afër Papa Françeskut dhe gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm në Kolegjin e Kardinalëve. Këtë e vërtetoi dhe shpejtësia e zgjedhjes së tij. Kemi parasysh që ka qenë votimi i katërt, direkt në ditën e dytë, ku është marrë edhe vendimi dhe ka fituar mazhorancën e votimin e plotë të Kolegjit të Kardinalëve ç’ka tregon pra edhe një figurë gjërësisht të mirëpranuar nga Kolegji i Kardinalëve”,- tha Dom Pashkja.
Dom Pashkja theksoi se Papa Leoni i XIV ka një përgatitje të mirë akademike dhe ka gjasa të trashëgojë “frymën” e Papa Françeskut në drejtimin e Kishës dhe përballjes me sfidat që has kjo e fundit dhe mbarë bota.
“Është një poliglot. Flet rrjedhshëm, kuptohet anglishten që është gjuha e tij, spanjishten, italisht, frengjisht. Do të thotë ka një përgatitje shumë të mirë akademike sepse një pjesë e periudhës së tij si meshtar si prift, si superior i Urdhrit të Augustianëve, nga ku vjen, i ka dhënë mundësinë që të ketë në një farë mënyrë një njohje të thelluar për shumë tema të caktuara, që aktualisht janë tepër aktuale dhe emergjente për Kishën, por edhe bashkëpunimi i vazhdueshëm viteve të fundit me Papa Françeskun, i cili duhet thënë ishte ai që e mori nga Amerika Latine dhe e solli në Romë për të qenë krahu i djathtë në emërimin e Ipeshkëve, bën të mundur këtë vazhdimësi siç e thatë dhe ju me Papa Françeskun, sa i përket disa sfidave që janë aktuale për botën siç është impenjimi i Kishës Katolike për paqen. Një mbrojtje dhe një angazhim i madh në raport me të varfrit, me emigrantët”,-tha Dom Pashkja.
Komente
