Carlo Acutis

Bota

Papa përgatitet të shpallë shenjtor adoleshentin e lindur në Londër, i njohur me nofkën ‘Influenceri i Zotit’

6 Shtator, 18:01| Përditesimi: 6 Shtator, 18:04

  • Share

Në një kasafortë të tejdukshme, të gdhendur në murin pas altarit të një kapelë në veri të Romës, ruhen disa relike të Carlo Acutis. Ato përfshijnë një copëz nga shtrati i tij prej druri, një fragment nga një xhup i tij dhe një pjesë çarçafi që e mbuloi pas vdekjes. Disa tufë flokësh të tij janë ekspozuar edhe në kisha të tjera të kryeqytetit italian dhe më gjerë.

Acutis, i lindur në Londër, por me origjinë italiane, do të shpallet këtë të diel shenjti i parë “milenial” i Kishës Katolike. Ai njihet si “Influenceri i Zotit”, pasi ndërtoi faqe interneti për të përhapur mësimet e fesë. Ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare nga leuçemia.

Reliket janë pjesë e një tradite të lashtë që kisha u rezervon figurave më të nderuara dhe u japin besimtarëve një lidhje të prekshme me jetën e tyre. Edhe pse ato që ruhen në kishën “Shën Angela Merici” janë të vogla, prifti Danilo Spagnoletti thotë se kanë fuqi frymëzuese për pelegrinët.

“Lutja pranë mbetjeve të një shenjti i ndihmon njerëzit të përballojnë vështirësitë e jetës,” shprehet ai. “Ky shenjt, megjithëse pati një jetë të shkurtër, ishte i pjekur dhe i veçantë në shumë drejtime. Për të rinjtë është një shembull frymëzimi.”

Acutis, i cili vdiq në vitin 2006, do të kanonizohet nga Papa Leo së bashku me Pier Giorgio Frassati, një tjetër i ri katolik aktivist që ndërroi jetë një shekull më parë. Ngjarja pritet të mbledhë mijëra pelegrinë në Romë.

Kisha i ndan reliket në tre kategori. Ato që ndodhen në “Shën Angela Merici” janë të klasit të dytë dhe të tretë, ndërsa reliket e klasit të parë – si trupi ose pjesë të tij – tërheqin më shumë besimtarë.

Vetëm vitin e fundit, mbi një milion njerëz kanë vizituar qytetin e Asizit, ku trupi i Acutis ruhet në një arkë qelqi në kishën “Santa Maria Maggiore”. Ai është i veshur me bluzën sportive blu, xhinse dhe atlete, ndërsa fytyra i është rikrijuar me një maskë dylli. Zemra e tij ruhet veçmas, në një kuti floriri, në katedralen “San Rufino”. Pjesë të indeve të zemrës kanë udhëtuar në vende të ndryshme të botës si pjesë e përgatitjeve për shenjtërimin e tij.

Nëna e tij, Antonia Salzano, ka udhëtuar gjithashtu anembanë botës, duke treguar historinë e të birit dhe duke dhuruar si kujtim edhe fije flokësh të tij.

Reliket u dhuruan fillimisht nga familja, por pas shenjtërimit të tij do të kalojnë në pronësi të Vatikanit.

Carlo lindi në Londër, ku i ati punonte në sigurime, por familja u zhvendos në Milano kur ai ishte foshnjë. Nëna e tij rrëfen se familja nuk ishte shumë fetare, por Carlo tregoi përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj fesë që në fëmijëri.

“Ai shkonte çdo ditë në meshë dhe lutej me rruzare,” tregon ajo. “Nuk qëndronte indiferent ndaj dhimbjes. Jetonim në një pallat të rrethuar nga lypsarë dhe ai gjithmonë donte t’i ndihmonte, t’u fliste, t’u çonte ushqim dhe batanije.”

Përveç kësaj, ishte një djalë i zakonshëm që dilte me shokët dhe merrej me sport. Ishte shumë i talentuar në programim dhe krijoi faqe interneti për organizata katolike, përfshirë një që mblidhte mrekullitë e dokumentuara nga kisha. I pëlqente të luante edhe me PlayStation, por e kufizonte veten vetëm në një orë në javë. “Carlo ishte një djalë i apasionuar pas internetit, por kishte maturinë ta përdorte teknologjinë për të mirë dhe nuk u bë pre e saj,” shprehet e ëma.

Adhurimi ndaj tij nisi që në ditën e vdekjes, kur shumë njerëz të sëmurë nisën t’i luteshin për shërim. Në funeralin e tij morën pjesë emigrantë, fëmijë të ngacmuar dhe shumë të tjerë që ai kishte ndihmuar.

Nëna e tij thotë se rreth asaj kohe Carlo nisi të bënte mrekulli dhe vitin e kaluar Papa Françesku njohu zyrtarisht dy prej tyre: shërimin e një djali në Brazil nga një sëmundje e rrallë e pankreasit dhe shërimin e një studenti në Firence që kishte pësuar gjakderdhje në tru, pas lutjeve të nënës së tij pranë varrit të Carlo-s në Asizi.

Shpejtësia e procesit të shenjtërimit, sidomos krahasuar me Frassatin, shihet si pjesë e përpjekjes së Kishës Katolike për të afruar më shumë të rinj.

Edhe pse për jo-katolikët adhurimi i relikeve mund të duket i çuditshëm apo madje i frikshëm, për shumë besimtarë, sidomos të rinj, ka një domethënie të veçantë.

“Ky është edhe qëllimi,” thotë gazetarja Andrea Vreede, korrespondente në Vatikan për televizionin publik holandez NOS. “Kisha do një shenjtor të ri, një milenial që u përket brezave të sotëm.”

Ajo e krahason Carlo-n me Maria Goretti, e lindur në vitin 1890, e cila u vra mizorisht në moshën 11-vjeçare pasi refuzoi ngacmimet e një fshatari. Ajo u shenjtërua në vitin 1950 dhe u paraqit si shembull për vajzat e reja në një kohë kur kisha donte të rivendoste moralin pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, megjithë dashurinë e madhe që ka fituar Carlo, nuk kanë munguar as kritikat. Madje ka pasur edhe raste abuzimi, ku janë shitur online relike të rreme.

“Është ngritur pyetja nëse është e drejtë që kisha ta paraqesë Carlo-n si një figurë gati si ‘supermodel’,” thotë Vreede.

Megjithatë, e ëma e tij beson se reliket janë një kujtesë për të gjithë: “Çdo njeri është i thirrur të bëhet i shenjtë. Carlo na tregon se kjo është e mundur për këdo.”

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?