ITALI- "Njerëzit më të varfër në botë janë ata që duhet ta kenë më shpejt vaksinën Anti-COVID". Është kjo deklarata e Papa Françeskut duke kërkuar që kjo vaksinë kundër koronavirusit që pritet të zbulohet në të ardhmen, të mos jetë prioritet për më të pasurit.
“Sa e trishtueshme do të ishte nëse një vaksinë për COVID-19 do të bëhej prioritet për më të pasurit. Do të ishte e trishtueshme nëse vaksina do të bëhej pronë e disa kombeve dhe jo universale për të gjithë,” tha Papa duke iu drejtuar njerëzve.
Kjo pandemi zbuloi hendekun e thellë që ekziston në pabarazi ndërmjet shumë popujve në botë, por edhe gjendjen shumë të varfër të miliona njerëzve, ka thënë Ati i Shenjtë.
“Në një anë është shumë e domosdoshme që të gjejmë një kurë për këtë virus të vogël, por të tmerrshëm, që e ka gjunjëzuar të gjithë botën. Nga ana tjetër, ne duhet të gjejmë një kurë për një virus të madh, atë të padrejtësive sociale, pabarazisë në mundësi, margjinalizimin dhe mungesën e mbrojtjes për më të dobëtit,” deklaroi Papa Françesku.