Viti 2024 u mbyll me nivelin më të ulët të papunësisë të regjistruar në vend ndonjëherë. Në raportin e parë pas realizimit të CENS-2023, për treguesit e punësimit INSTAT thotë që papunësia ra në 8.8%, nga afro 10% në vitin 2023, ndërkohë që punësimi është rritur.
“Në tremujorin e katërt 2024, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 68,3%, duke shënuar një rritje vjetore me 1,6 pikë përqindje dhe një rënie tremujore me 0,8 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, në tremujorin e katërt 2024, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 8,8 %, duke shënuar një ulje vjetore me 0,8 pikë përqindje dhe një rritje tremujore me 0,7 pikë përqindje”, tha drejtuesja e INSTAT Elsa Dhuli.
Në rritjen e punësimit sipas drejtueses së INSTAT, Elsa Dhuli kanë dhënë ndikim të gjithë sektorët, por veçanërisht ai i shërbimeve ku bën pjesë turizmi.
“Të tre sektorët kanë ndikuar, industria, bujqësia dhe shërbimet por fokusi kryesor kanë qenë shërbimet”, u shpreh Dhuli.
Nga ana tjetër ndikim të rëndësishëm në uljen e papunësisë ka rënë, rënia e numrit të popullsisë në vend me afro 420 mijë nga cens-2011 tek ai i 2023-shit. Papunësia më e madhe në vend sipas INSTAT është tek të rinjtë që i përkasin grup moshës 15-29 vjeç, kur rezulton se 19,1% prej tyre nuk punojnë.
Përtej papunësisë në rënie, problem për sipërmarrjen vijon të jetë mungesa e punonjësve, në kushtet kur të dhënat e Censit treguan se popullsia në moshë pune është tkurrur në rreth 1.5 milionë nga 1.9 milionë në vitin 2011.
Komente
