Bazuar në shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga totali prej 162.5 miliardë lekë ose rreth 1.6 miliardë euro që është detyrimi i papaguar deri në fund të vitit 2024, pjesa dërrmuese është e krijuar para vitit 2015.
Më konkretisht, 57.3 miliardë lekë ose 573 milionë euro është detyrim me vjetërsi 5-vjeçare, të cilit do t’i shuhen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat përmes kësaj paqeje fiskale të premtuar, ndërsa detyrimi duhet të paguhet. Pjesa tjetër e borxhit prej 104 miliardë lekë është mbi 5-vjeçar.
Edhe pse tatimet nuk e saktësojnë borxhin e krijuar para 10 vitesh, bazuar në dokumentet zyrtare, detyrimi i krijuar deri në fund të 2015-ës ishte 100.3 miliardë lekë. Çka praktikisht nënkupton që borxhi me vjetërsi 10 vjeçare i cili do të fshihet plotësisht nëse ‘paqja’ do të hyjë në fuqi është në vlerën 1 miliardë euro duke i çliruar bizneset nga statusi ‘debitor’. (shifër e përafërt bazuar në dokumente)
Grupi tjetër e që do të përfitojë, i takon kategorisë që ka borxh nga 5-10 vjet, që përllogaritet në 4.9 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro. Subjektet që i përkasin kësaj kategorie, do të përfitojnë lehtësi, por vetëm pasi të kenë paguar të plota detyrimet tatimore. Kush realizon pagesën me 1 këst, merr zbritje 50% për gjobat e kamatat, ndërsa kush i paguan në disa pjesë merr ulje 25%.
Totali i borxhit të akumuluar prej 162.5 miliardë lekë, ndahet 100.5 miliardë lekë ose 1 miliardë euro detyrime të papaguara (tatime), 53.6 miliardë lekë ose 536 milionë euro penalitete dhe pjesa tjetër prej 8.1 miliardë lekë ose 81 milionë euro janë kamatëvonesa.
Përtej borxheve me vjetërsi mbi 10 vjeçare që do të shuhen, kthimi edhe i detyrimeve më të reja nga subjektet duket i vështirë, përsa kohë 60% e tatimpaguesve debitor që kanë edhe pjesën më të madhe të borxhit prej 121 miliardë lekë ose 1.2 miliardë euro janë në status pasiv, pra e kanë mbyllur aktivitetin.
Vlera më e mundshme që mund të përfitojë administrata nga kjo ‘Paqe Fiskale’ është 416 milionë euro detyrim që i takon 40% të tatimpaguesve debitor por që kanë ende kanë status aktiv. Vlera më e madhe e detyrimeve të papaguara i takon TVSH-së, ndjekur nga tatimi mbi fitimin e më pas vijnë detyrimet e tjera si TAP, DIVA apo sigurimet. Ekspertët gjykojnë se nisma të tilla nuk i shërbejnë ekonomisë në tërësi, pasi cenohet konkurrenca, duke ‘favorizuar’ ata që kanë shkelur detyrimet ligjore.
“Paqe fiskale në tërësi do të thotë një amnisti fiskale si term. Duhej një pakt me bizneset se si do të reagojë karshi tyre në mënyrën e të bërit biznes, si duhet të shpërndajë sa më drejtë të barrës tatimore, sa më pak përjashtime tatimore, pasi ato i vuajnë qytetarët, pasi çdo qokë fiskale zbrazet në një kategori tjetër”, shprehet eksperti fiskal Eduart Gjokutaj.
“Cenimi që i bëhet sundimit të ligjit dhe deformimit të konkurrencës janë pasojat më të dukshme negative. Problemi më i madh në tërësi mbetet klima e biznesit, pra si të prodhohen para dhe si të hapen vende të reja pune”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Pikëpyetje ngrihen për sigurimet shoqërore të papaguara nga biznesi, nëse do të preken nga kjo paqe. Lehtësimi i subjektit, do të penalizonte qytetarët, duke iu ulur vitet e punës.
Komente
