Deklarata e Trump një ditë më parë se paracetamoli lidhet me autizmin ka qenë kryefjalë e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në lidhje me këtë temë shumë të diskutuar i ftuar në ‘Shtypi i ditës dhe Ju’ ishte mjeku Erion Dasho.
Në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Gjermania, mjeku tha se ende nuk ka një vendim përfundimtar se përdorimi i paracetamolit ndikon te autizmi.
“E gjeta të papritur këtë përfshirje të Trump në shëndetësi. Gjithë bota ka mbajtur sytë nga FDA amerikane, EMA e Europës që qytetarët të marrin preparate sa më të sigurta dhe efektet anësore të tyre jenë më të pakta. Sipas disa kërkimeve që kam bërë, unë kam krijuar përshtypjen se një vendim përfundimtar nuk është gjetur ende. Ka evidenca që sugjerojnë një lidhje të lehtë mes paracetamolit dhe autizmit, ndërsa nga ana tjetër ka evidenca që thonë se nuk ka një lidhje mes tyre”, tha Erion Dasho për Report Tv.
Mjeku theksoi se para se një ilaç të dalë në treg ai kalon disa prova klinike.
“Kompanitë farmaceutike para se të nxjerrin një preparat kryejnë disa prova klinike, mes tyre është ajo jashtë botës së gjallë, prova labotarike dhe prova tek njerëzit. Po ashtu kryhen edhe studime për efektet anësore dhe se për çfarë sëmundjesh mund të përdoret. Ndërkohë edhe pasi ilaçi ka dalë në treg shkenctarët vijojnë studimet me dekada me radhë. Sa i takon shtatzanisë, preparatet kanë një paralajmërim nëse mund të përdoren apo jo”, nënvizoi mjeku.
Dasho shtoi gjithashtu se FDA amerikane ka qenë e para që ka bërë deklaratën e para në lidhje me paracetamolin dhe autizmin dhe kjo gjë ka shkaktuar një shqetësim tek të gjithë.
"Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave i takon të caktojë se çfarë qëndrimi të mbahet për përdorimin e paracetamolit apo çdo preparat që përmban acetaminofeni. Është një situatë e cila ka shkaktuar shqetësim dhe panik te popullsia. I bëj thirrje që të bëjnë sa më shpejt një deklaratë për këtë gjë”, u shpreh ndër të tjera ai.
Po ashtu mjeku tha se gratë gjatë periudhës së shtatzënisë është mirë që t’i shmagmin përdorimin e ilaçeve, veçanërisht gjatë tre muajve të parë dhe të përdorin vetëm ato suplemente që i rekomandon mjeku siç janë acidi folik dhe hekuri të rëndësishëm për zhvillimin e bebit.
Teksa u pyet nga gazetari Andi Kapxhiu për vaksinimin e fëmijëve dhe ngurrimin e prindërve për t’ia bërë, Dasho tha se vaksinat janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut.
“Vaksinat kanë qenë një nga zhvillimet më të rëndëishme në mjekësi, se kanë ulur vdekjet nga sëmundjet e transmentueshme. Vaksinat kanë efekte të jashtë zakonshme në shëndetin e njeriut. Megjithatë efekti i tyre nuk është i njëjtë tek çdo person. Një fëmijë që kryen një vaksinë për fruthin nuk i jep asnjë efekt anësorë, ndërsa te një tjetër mund të ketë efekte anësore si temperaturë. Vaksinat duhet të jenë një pjesë e detyrueshme e fëmijërisë”, përfundoi mjeku.
Komente

Mos i merrni shume seriozisht deklaratat bere nga nje njeri qe kur ndodhi Covidi rekomandoi ne nje rast, qe te injektohej bleach/klor dhe qe sot ka per sekretar te shendetit nje shaman qe nuk beson te vaksinat e ka hequr parate e buxhetit te shtetit per shume kerkime shkencore ne fushen e mjekesise.Me mire ndiqni reagimin e org.te tjera boterore te mjekesise per kete ceshtje.
Përgjigju