Mijëra protestues marshuan të shtunën në kryeqytetin e Hungarisë, pasi një tubim i ndaluar për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ u shndërrua në një demonstratë masive kundër qeverisë, duke u bërë një nga shfaqjet më të mëdha të opozitës ndaj Kryeministrit Viktor Orban.
Turmat mbushën një shesh pranë bashkisë së Budapestit në një vapë përvëluese, përpara se të niseshin në marshim mbi njërin prej urave kryesore mbi lumin Danub, duke valëvitur flamuj shumëngjyrësh, disa të veshur me pelerina ylberi dhe të tjerë me pankarta që tallnin Orbanin.
“Kjo ka të bëjë me shumë më tepër, jo vetëm me homoseksualitetin... Ky është momenti i fundit për të qëndruar në këmbë për të drejtat tona,” tha Eszter Rein Bodi, një nga pjesëmarrëset në marshim.
“Askush nga ne nuk është i lirë, derisa të gjithë të jenë të lirë”, shkruhej në një nga pankartat.
Qeveria e Orbanit ka kufizuar gradualisht të drejtat e komunitetit LGBTQ+ gjatë dekadës së fundit dhe në mars, ligjvënësit miratuan një ligj që lejon ndalimin e paradave të Krenarisë, duke cituar nevojën për të mbrojtur fëmijët.
Kundërshtarët e Orbanit e shohin këtë veprim si pjesë të një goditjeje më të gjerë ndaj lirive demokratike, në prag të zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen vitin e ardhshëm, kur kryeministri veteran – partia e të cilit ka dominuar skenën politike në Hungari prej 15 vitesh – do të përballet me një rival të fortë nga opozita.
Grupe të vogla kundër-protestuesish të ekstremit të djathtë tentuan të prishin marshimin paqësor, por policia i ndau dhe devijoi itinerarin e marshimit për të shmangur çdo përplasje.
Orban dhe qeveria e tij, të cilët promovojnë një agjendë konservatore-kristiane dhe janë shfaqur si mbrojtës të vlerave familjare, kanë mbrojtur kufizimet duke thënë se nevoja për të mbrojtur fëmijët qëndron mbi të gjitha të drejtat e tjera.
Në mëngjesin e marshimit, Orban postoi një foto me nipërit e mbesat, me mbishkrimin: “Për këtë jam krenar.” Disa prej mbështetësve të tij ndoqën të njëjtin shembull.
Marshuesit përfshinin studentë, familje dhe banorë të zonave rurale që thanë se nuk kishin marrë pjesë më parë në ndonjë protestë. Ura Erzsebet, e ndërtuar për të përballuar gjashtë korsi trafiku, u mbush tërësisht me njerëz.
“Mesazhi është i qartë: ata nuk kanë pushtet mbi ne,” u tha turmës kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karacsony. Ai falënderoi policinë për sigurimin e marshimit.
Një manifestim historik, me mbi 200 mijë pjesëmarrës, sipas kryebashkiakut të Budapestit, Gergely Karácsony, organizator i marshimit. Shifra që nuk ishin parë në Hungari që nga viti 1989, kur dhjetëra mijëra hungarezë dolën në sheshe për të festuar rënien e murit të Berlinit.
Një lumë njerëzish, ardhur nga e gjithë Evropa, parakaloi për orë të tëra përgjatë Danubit. “Vlerësojmë se numri i pjesëmarrësve është mes 180.000 dhe 200.000. Është e vështirë të përcaktojmë shifrën e saktë, sepse kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë njerëz në Budapest Pride,” deklaroi, Viktoria Radvanyi.
Edhe kryebashkiaku Karácsony, përshëndeti këtë pjesëmarrje rekord. “Faleminderit, Viktor Orbán, që ke promovuar një shoqëri më tolerante,” ironizoi ai në Facebook.
Organizatorët e marshimit thanë se pjesëmarrësit kishin ardhur nga 30 vende të ndryshme, përfshirë 70 anëtarë të Parlamentit Evropian. Më shumë se 30 ambasada shprehën mbështetje për marshimin dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u bëri thirrje autoriteteve hungareze që ta lejonin paradën të zhvillohej.
‘PASOJA LIGJORE’
Kryebashkiaku i Budapestit kishte tentuar të anashkalonte ligjin duke e organizuar Paradën e Krenarisë si një aktivitet bashkiak, i cili sipas tij nuk kërkon leje. Megjithatë, policia e ndaloi ngjarjen, duke argumentuar se ajo bie nën juridiksionin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.
Orban dha disa sinjale ditën e premte për atë që pjesëmarrësit mund të prisnin, kur paralajmëroi për “pasoja ligjore” për ata që organizojnë apo marrin pjesë në marshim.
Më herët gjatë javës, ministri i Drejtësisë, Bence Tuzson, në një letër dërguar disa ambasadave të huaja në Budapest, paralajmëroi se organizimi i një aktiviteti të ndaluar dënohet me një vit burg, ndërsa pjesëmarrja konsiderohet kundërvajtje.
Ligji që lejon ndalimin e paradës i jep të drejtë policisë të vendosë gjoba dhe të përdorë kamera për njohjen e fytyrës për të identifikuar pjesëmarrësit.
Sipas analistit politik Gabor Torok, sulmet e Orbanit ndaj Paradës së Krenarisë fillimisht i sollën atij mbështetje, por opinioni publik ndryshoi pas ndalimit nga policia dhe debatit ligjor që pasoi.
Dominimi i Orbanit dhe aftësia për të diktuar agjendën politike po përballet me sfida në rritje nga lideri i qendrës së djathtë, Peter Magyar dhe partia e tij Tisza, e cila në një sondazh këtë muaj kishte një epërsi prej 15 pikësh ndaj partisë së Orbanit, Fidesz.
Tisza, e cila ka shmangur qëndrime të forta për çështjet e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, nuk e specifikoi në një përgjigje për Reuters nëse e konsideron të ligjshëm marshimin e Pride-it, por theksoi se ata që marrin pjesë meritojnë mbrojtjen e shtetit.
Komente
