Në Budapest po mbahet sot marshimi 'Parada e Krenarisë', me një pjesëmarrje masive prej rreth 50 mijë personash sipas organizatorëve, ndonëse kryeministri hungarez Viktor Orbán kishte ndaluar këtë tubim.
Në tubim marrin pjesë ministra nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe dhjetëra europarlamentarë, kryesisht të majtë, ndër ta edhe drejtuesja e Partisë Demokratike italiane, Elly Schlein, dhe përfaqësues të tjerë të opozitës italiane.
Sipas raportimeve, militantë të partisë së djathtë ekstreme hungareze, “Atdheu Ynë”, kanë bllokuar me automjete Ura Szabadság (Ura e Lirisë) në Budapest në fillim të marshimit ‘Parada e Krenarisë’, duke tentuar të pengojnë kalimin e kortezhit në këtë urë, raportohet në media.
Kjo ka detyruar organizatorët që të ndryshojnë itinerarin e marshimit. Marshimi filloi në orën 14:00 nga Parku i Bashkisë së kryeqytetit dhe ishte parashikuar të kalonte pikërisht mbi këtë urë.
Foto tregojnë një turmë të madhe dhe e ngjeshur, ndërsa një studente hungareze e mbështjellë me flamurin me ngjyrat e ylberit shprehet optimiste se nuk do të ketë incidente, duke vënë në dukje se Orbán, për shkak të numrit të madh të të huajve në marshim, do të përpiqet të ruajë imazhin e tij në sytë e botës.
Marshimi zhvillohet në një atmosferë feste, me këngë, valle, flamuj dhe pankarta, ndërsa rrugët e qytetit janë të mbushura me njerëz të qetë dhe të gëzuar, nën diellin e nxehtë të verës.
Megjithëse pjesëmarrësja nuk beson se ky marshim do të ndikojë menjëherë në qeverinë sovraniste të Orbán, ajo lë të kuptohet se zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin ndryshime.
Në një konferencë për shtyp para marshimit, Schlein theksoi se:
“Nuk mund të ndalohet dashuria me ligj” dhe se ndalimi i paradës është një shkelje e të drejtave kushtetuese evropiane, duke shtuar se nuk mund të fshihet identiteti i njerëzve apo t’u mohohen të drejtat.
Ndërkaq, në të njëjtën ditë, Viktor Orbán publikoi në Facebook një foto me tre nipërit e tij, duke shprehur krenarinë për ta, në një ditë kur marshimi i 'Krenarisë' po sfidon ndalimin që ai kishte vendosur.
Komente
