Mund të duket e çuditshme, por atleti Franko Burraj që do përfaqësojë Shqipërinë në 100 m garë gjatë Lojërave Olimpike "Paris 2024", do jetë pa trajnerin në Francë.
Edhe pse vendi ynë merr pjesë për herë të dhjetë në Olimpiadë, nuk mund të mungonin edhe këtë çudira. Franko Burraj do jetë në “Paris 2024” pa trajnerin e tij Bruno Rrotani, pasi këtij të fundit i është mohuar pjesëmarrja në Olimpiadë për mungesë kuotash.
Duket vërtet absurde se si mund të ketë mungesë kuotash për një trajner, por kjo situatë nuk është risi për Shqipërinë në Lojërat Olimpike, pasi siç dihet kjo ka ndodhur edhe në edicionet e kaluara.
25-vjeçari nuk ka udhëtuar për në Paris me ekipin dhe do bashkohet me grupin më 29 korrik, duke qenë se garën e ka në datën 3 gusht në orën 10:30. Shkodrani do humbasë kështu ceremoninë hapëse që zhvillohet sot në orën 19:30, pasi kërkon që të stërvitet me trajnerin e tij.
Veç Burrajt, edhe Luiza Gega nuk do jetë mbrëmjen e sotme në ceremoninë hapëse të Olimpiadës së 33-të në histori, teksa flamur-mbajtës të Shqipërisë do jenë mundësi Zelimkhan Abakarov dhe notarja Kaltrina Meça.
Lojërat Olimpike zgjasin nga 26 korriku - 11 gusht dhe vendi ynë do përfaqësohet me tetë sportistë në disiplina të ndryshme.