Foto ilustruese

Paradokset tona/ 'Krenari' të jesh i Djathtë, 'Belbëzim' të jesh i Majtë!

8 Prill 2022, 20:10| Përditesimi: 8 Prill 2022, 20:11

  • Share

Paçka se ideologjia mirëfilli është shumë e paperceptueshme prej shumë njerëzve, qoftë të thjeshtë por edhe ata që merren intensivisht me politikë, ka një krenari të pashpjeguar, ashtu si edhe jo pak cinizëm në shprehjen e shumë syreshëve, kur përmendin kahun e tyre politik. Në fakt, studimet e kohëve moderne kanë treguar se ideologjia është shumëdimensionale dhe mbart edhe shumë elementë të tjerë, përcjellë qysh prej fëmijërisë së individit. Shkenca sfidon edhe këtu.

Individë të së “Djathtës” shqiptare përveçse e theksojnë me kumtin e një qasje gati idilike mbartin një krenari sikur historia e kësaj ideologjie është disa shekullore tek ne; “E Majta” përfaqësuar nga “filozofë” duket sikur belbëzon, pasi shumë emisarë të saj, rrekjen më të madhe e kanë me mos-identifikimin me regjimin e dikurshëm, sesa me vetë kahun ideologjik. Madje, këta të fundit, kur e shpalosin kahun politik, mundohen të marrin jo pak edhe nga origjina e Djathtë për të treguan…”klas fisnikërie”. Vetëm pak individë më të ndërgjegjshëm dhe të ndershëm, me veten e tyre, i shpëtojnë këtij kurthi, duke të treguar e shpjeguar psenë e prirjes së tyre.

E gjitha kjo që parashtruam nuk e bëri dot narracionin historik të Berishës të besueshëm. I ardhur nga E Majta gati ekstreme e Socializmit kaotik shqiptar, si eksponent i rreshtave të dyta të militantëve, konvertimi në një Të Djathtë, që gati kapi ekstremin, e bëri të lundronte pa vijimësi në detin e trazuar të politikës shqiptare, paradoksalisht krijuar edhe prej tij. Nëse socializmi e mori pronën dhe e tjetërsoi në funksion të një eksperimenti ideologjik pa sens, nën Berishën, prona u tjetërsua pa ideologji në funksion të lakmisë më të ndyrë për pasurimin e shumë kinseve. Në aspektin e ndërgjegjes, u shkatërrua Akademia e Shkencave me zinxhirin e institucioneve, që mund të paraprinte jo thjesht në mendimin filozofik por të jepte shtrat për zhvillime normale ideologjike. Kurse të përndjekurit e thjeshtë dhe sidomos ata që nuk ishin marifetçinj u endën nën pushtetin e kinse “Të Djathtëve” duke ua thithur edhe atë pak shpresë jete që u mbeti e paprekur nga regjimi. Ndërkohë, u shkatërrua sistemi i vlerave të Luftës së Dytë Botërore, saqë në Shqipëri, sot, për një pjesë jo të pakët të popullsisë është deri turp të pohosh se kemi qenë në luftë kundër Fashizmit!!! Dhe, kjo ndodh, mu në kohën e inteligjencës artificiale, kur një personazh i tillë, po mëton pushtet.

“E Majta” e pas viteve ‘90 e përfaqësuar nga Nano, Meta dhe me shumë se të gjithë Rama në pushtet vazhdon të belbëzojë gjysma-gjysma për vlerat anti-fashiste, duke e minimizuar sa të mundet. Mundohet të mbylli sytë para projekteve të frikshme, që bëhen shpesh për nëpërkëmbjen e Luftës dhe sidomos persekutimin e pas Luftës. Ashtu si E Majta prej kompleksit të madh arriti të rehabilitojë normal eksponentë të përballjes negative të luftës. Sa i përket përpjekjeve të pronës, “E Majta” nuk po i shpëton dot korrupsionit të frikshëm dhe privatizimeve të dyshimta, si edhe politikave krejt të Djathta në ekonomi. Kjo ndodh në rastin e PPP-ve, si edhe politikave të ndryshme në ekonomi të cilat s’janë aspak ndihëse për inkurajimin e biznesit. Kur kryeministri Rama e të tjerë politikanë rreth tij përballen me realitetet e këtyre zgjedhjeve sjellin përgjigje gati globaliste, por aspak prej atyre që mund t’i shkojnë logjikës ideologjike, për të cilën mbahen dhe u është dhënë besimi për të pasur pushtet.

Në ditët dhe javët e fundit kjo përballje ideologjike është bërë aq bajate tek ne, saqë njerëzit përtej tyre mundohen të gjykojnë deri veten e tyre. A janë të vërtetë këta që na përfaqësojnë?! *-Ndodh sot, që Rama, i cili ishte aq aktiv te Refleksionet ’90 ku u përplasën idetë e Të Majtës së dikurshme me vlerat që do trashëgoheshin te PS-ja e re, sot drejton “Të Majtën”; kurse Berisha që drejton masën më të madhe së të Djathtëve në vend vjen jo thjesht nga përkatësia komuniste, por nga mos-reflektimi i thellë për shumë gjëra që lidhen me të. Paradoksalisht është harruar lidhur me të dhe pushtetin e tij: Çështja e “21 Janarit”; Shpërthimi i Gërdecit; kontrabanda me ish-Federatën e Jugosllavisë dhe më shumë akoma ajo që duhej ta skuqte për të gjithë jetën: ndodhitë e viteve ’97; për t’u shtuar si një turp që nuk duhet harruar: apatia dhe diskursi aspak normal për UÇK-në. A e dinë këtë vallë shqiptarët? E dinë. Madje, shumë më mirë sesa kushdo dhe cilido nga gazetarët, që mundohet ta sjellë si argument?! A duhet të jetë diçka më shumë? Në fakt. kjo është më shumë pyetje për antropologët dhe sociologët sesa për studiues të thjeshtë. A mos vallë ka diçka përtej asaj që mendojmë si logjikë shfaqje ideologjike? A ka të ngjarë që kjo paraqitja kinse Majtas apo Djathtas është e gënjeshtërt, thjesht për një identitet politik, që nuk kuptohet tek politika jonë në thelb?! Shkenca sfidon dhe e lemë një moment arealin shqiptar….Në një artikull të botuar pak kohë më parë, studiuesi G. William Domhoff  solli rastin e një psikologu shumë të dhënë pas ideologjisë dhe sociologjisë. Silvan Tomkins, referuar prej tij, shkroi një ese ku argumentoi se dimensioni majtas-djathtas gjendet në çdo fushë të mendimit, ardhur qysh me teoritë që rrjedhin me politikat që realizohen në familje e deri ato rreth praktikave të rritjes së fëmijëve. Bazuar në kërkimin e tij, Tomkins (1964) arriti në përfundimin se: ata të cilët gjenden në skajin e djathtë të kësaj logjike në teorinë që ndërtoi ai, para së gjithash prireshin të ishin të orientuar drejt rregullave. Këta individë i konsideronin rregullat si të jashtme për veten e tyre, madje edhe për njerëzit në përgjithësi. Rregullat konsiderohen jo thjesht si pjesë e universit, ose të përcaktuara nga Zoti. Të Djathtët shpesh janë të pakëndshëm për emocionet dhe priren të mohojnë ndjenjat e tyre. Prandaj ata i duan t’i kenë nën kontroll emocionet. Ata gjithashtu e favorizojnë hierarkinë, qoftë edhe  pjesërisht sepse duan të mbajnë nën kontroll impulset përmes rregullave. E sipas tyre, individët më të mirë, ata që ndjekin rregullat dhe kontrollojnë emocionet, duhet të jenë shpesh në krye. Të Djathtët zemërohen me shkeljen e rregullave, jo me autoritetin shtypës, shkroi Domhorf tek “The Left and the Right in Thinking, Personality, and Politics”.

Po ajo që lidhej me Të Majtët? Studiuesi Tomkins i këqyrte Të Majtët si më shumë të orientuar dhe të interesuar drejt nevojave dhe kënaqësive njerëzore, jo ndaj rregullave dhe atyre që mendojnë se janë njerëzit që krijojnë rregulla. Ata që mbartin tendenca të Majta tërhiqen nga përvoja të reja dhe ndjenja pozitive. Ata janë për barazi dhe nuk e pëlqejnë hierarkinë; ata janë egalitarë, të gatshëm të ndryshojnë rregullat nëse mendojnë se kjo është e nevojshme. Përveç kësaj, ata priren të fokusohen në grupe dhe rrjete sociale. Ky qëndrim i orientuar nga grupi, së bashku me theksimin e tyre te barazia, i bën ata aleatë të natyrshëm të të varfërve, pavarësisht nëse kjo do të thotë njerëz me të ardhura të ulëta ose njerëz të përjashtuar nga shoqëria dominuese në bazë të racës, përkatësisë etnike, orientimit seksual ose preferencës fetare, shtjellon argumentin e sociologut, në shkrimin e tij, Domhorf.

A mundej që një studim i tillë të abstragohej për Shqipërinë? Mbase. Fillimet e të gjithë kësaj që flasim për ideologjinë lidhet me vitet ’20 dhe ’30. Është momenti i vërtetë i emancipimit politik-social-kulturor të vendit. Në fakt mundësia u dha pas Kongresit të Lushnjës, kohë kur Shqipëria nis jetën institucionale të shtetit me startimin e dy forcave kryesore politike: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Në vitin 1923 këto dy parti u shpërbënë, por arritën të krijonin dy grupime të reja politike me bazë ideologjike: Grupi qeveritar i Ahmet Zogut (konsiderohej i Djathtë dhe reflektoi ndryshime në vend për të kapur Oksidentin) dhe Grupimi opozitar i Fan Nolit (e Majta – kërkonte të realizoheshin reforma dhe të shihej mundësia për bashkimin e trojeve të mbetura me Shqipërinë, emancipimin kulturor, ngritjen e institucioneve dhe një përhapje të kulturës mes popullsisë. Po të ndjekësh me kujdes historinë e tyre dhe të dish mënyrën sesi lëvizën drejt njëri-tjetrit këto formacione, njeriu kupton pak a shumë historinë e pashkruar të prirjeve politike shqiptare, qoftë edhe pas viteve ‘90.

Në shkrim po flasim për lloje krejt të pastra të drejtimeve ideologjike bash nga ato që kërkojnë traditën dhe mendimin e pastër. Ndaj është e vërtetë se për shkak të qëndrimeve që sot i konfondon deri diku edhe globalizmi kemi edhe shumë përzierje komplekse të dy orientimeve, për të mos thënë realisht paqartësi nga bartësit e tyre. Një ndihmë na e jep sërish studiuesi i mëparshëm, pasi Tomkins, që citohet prej tij, pretendon se ideologjia nuk mund të jetë atribut i shumë njerëzve, ai është atribut i vetëm disa prej njerëzve më të famshëm dhe krijues në historinë perëndimore, siç ishte përshembull filozofi Kant dhe kompozitori Beethoven. Janë pikërisht ata që janë në gjendje të sintetizojnë aspekte të së Majtës dhe të Djathtës, duke tërhequr kështu të dyja anët e vazhdimësisë ideologjike në rrjedha logjike. Megjithatë, sfida mbetet nëse ekziston ndonjë dimension i përgjithshëm Majtas-Djathtas që kapërcen çdo çështje të veçantë dhe është përtej tyre. Po i drejtohemi një personazhi që nuk ka shumë lidhje me politikën.

“Nuk ka më bardhë e zi, as edhe majtas dhe djathtas për mua; ka vetëm lart e poshtë dhe fare poshtë është mu aty shumë afër tokës. Ndaj, unë vetë, po përpiqem të ngjitem pa menduar për ndonjë gjë triviale (të parëndësishme) siç është politika. Këta të fundit nuk kanë asnjë lloj lidhje. Në të gjithë këtë, po mendoj thjesht për njerëzit e zakonshëm dhe momentin kur ata lëndohen”, citojmë Bob Dylan në një mendim që përfshin më shumë estetikën e ideologjisë. Po në rastin e Shqipërisë? Të vjen për të qeshur në mënyrën sesi pa i njohur në thelb, të dy partitë mundohen të gjejnë supremacinë e mendimit dhe mundohen të fitojnë klas në këtë përkatësi, që është larg stofit të shumë prej ligjvënësve gati të paditur, që ne i vetë-zgjedhim për t’i treguar vetes sesa shumë konfuz jemi. Ndaj “krenarohen” pa ditur kinse të Djathtët dhe “belbëziten” kinse të Majtët që më shumë se ideologjia u intereson thjesht interesi…pa ideologji. 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?