Sali Berisha dhe Bamir Topi

Paradoksi/ ‘Armiqtë’ që do bashkëjetojnë në koalicionin e PD-së, Topi-Berisha, Dule-Idrizi, republikanë dhe monarkë, krimi dhe dekriminalizimi 

25 Shkurt 2021, 08:38| Përditesimi: 25 Shkurt 2021, 08:55

  • Share

Është koalicioni më paradoksal dhe i çuditshëm në historinë  e zgjedhjeve në Shqipëri. Nën ‘çadrën’ e Partisë Demokratike janë mbledhur ‘armiqtë’ e përbetuar historikë, personazhe të politikës që mbrojnë kauza krejtësisht të kundërta, parti pa asnjë pikëtakim programor dhe ideor me njëra-tjetrën, por edhe parti pas të cilave qëndrojnë njerëz problematikë në raport me ligjin. Pas përfshirjes së Shpëtim Idrizit, që mban flamurin e çështjes çame, në një listë kandidatësh për deputetë me Vangjel Dulen që përfaqëson linjën e kundërt të çështjes çame, ka befasuar Bamir Topi, i cili është në tratativa për t’u rikthyet në familjen e vjetër politike.  

Bamir Topi ka firmosur në minutat e fundit një marrëveshje me Lulzim Bashën, duke y bërë pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike. Më shumë se një aleancë mes FRD dhe PD-së, është një afrim mes Bamir Topit dhe Sali Berishës, të cilët që nga viti 2011 kanë artikuluar akuzat nga më të rëndat kundër njëri-tjetrit. Është një afrim Topi-Berisha, pasi Bamir Topi  ka deklaruar disa herë se Lulzim Basha është marrë peng nga Sali Berisha dhe vepron dhe mendon si shefi i tij. 

Në shtator të 2014, Topi shprehej se “Jam shumë i zhgënjyer nga Lulzim Basha. Ai është duarlidhur dhe nuk mund të veprojë vetë, pasi është marrë peng nga Berisha”. Ndërsa në vitin 2017, Topi shprehej se “Berisha është ai që hartoi listat, ndërsa Basha është pupaci i tij”. 

Në maj të vitit 2019, ish-presidenti Bamir Topi botoi librin me titull: ‘Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), ku denonconte sagën e krimeve të Sali Berishës, që nga vrasjet, përndjekjet, shantazhet, mbulimin e krimeve, kapjen e drejtësisë, shitjen e detit, mashtrimet, përdorimin e shtetit për pushtetin dhe Familjen etj. Libri është një dëshmi tronditëse për veprimtarinë e Sali Berishës që nga trazirat e ’97 deri pas rrëzimit nga pushteti në 2013. 

Bashkimi Topi-Berisha nuk është befasia e vetme. 

Pjesë e koalicionit me në krye Partinë Demokratike janë bërë edhe monarku Shpëtim Axhami dhe republikani Fatmir Mediu. Partia Lëvizja e Legalitetit do të luftojë për rivendosjen e monarkisë në Shqipëri në një koalicion me Partinë Republikane, e cila ka në program një formë tjetër qeverisjeje të vendit, atë republikane, ku qytetarët zgjedhin më të mirët një herë në katër vjet. 

Pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike, e cila premton luftë kundër krimit, është edhe Partia Mendimi i Djathtë Liberal, me në krye Mustafa Lici. Ky i fundit sfidoi Operacioni Forca e Ligjit, vitin e kaluar, duke refuzuar të plotësonte formularin për justifikimin e pasurisë. Njëri nga djemtë e tij, Muhamed Lici, është dënuar në mars të 2017 me 13 vite burg,  pasi akuzohej se drejtonte një grup që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër. Djali tjetër, Ibrahim Lici, është shpallur në kërkim për t’u pyetur mbi atentatin ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019. Vetë Mustafa Lici kërcënoi kryebashkiaken e PD-së në Shkodër, Voltana Ademi, në vitin 2017. 

Pavarësisht kësaj historie, Lulzim Basha ka pranuar që partia e Licit të bëhet pjesë e koalicionit të PD-së, duke zgjedhur llogaritë e votave përballë kauzës që ka mbrojtur deri më sot. 

Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje për koalicion parazgjedhor edhe me Partinë Kristian Demokrate, e drejtuar më parë nga Mark Frroku, përmes së cilës ai mundi të hynte në Kuvend, deri ku u arrestuar për vrasje. Meqenëse kjo parti, në vitin 2013, u pozicionuar në aleancë me PS, opozita e re e drejtuar nga Lulzim Basha e bëri Mark Frrokun “target” të sulmeve të veta politike dhe simbol të kriminalizimit të Kuvendit. 

Për muaj me radhë Mark Frroku ishte në shënjestrën e sulmeve të PD, e cila e konsideronte si pjesë të PS-së. Frroku u akuzua për një vrasje në Belgjikë, u arrestua, por u dënua vetëm për  për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje.

Sot nuk është as deputet, as kryetar partie, por një qytetar i lirë. Por ama PKD është krijesë e tij, pavarësisht se drejtohet nga dikush tjetër, dhe PD i ka gëlltitur akuzat ndaj Frrokut, ose për inat të Edi Ramës ose për inat të Jozefina Topallit, e cila ishte e para që foli në Parlament rreth të shkuarës së tij dhe që u kërcënua nga Frroku me anë të një mesazhi., 

Megjithatë, dualiteti më befasues i koalicionit është Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi. Ky i fundit pretendon se është bërë pjesë e koalicionit të PD-së pasi Lulzim Basha ka pranuar një marrëveshje për adresimin e çështjes çame. Por, nga ana tjetër, Lulzim Basha ka përfshirë në koalicion edhe Vangjel Dulen, i cili nuk e njeh çështjen çame dhe rrjedhimisht do të punojë kundër saj. Dule përfaqëson interesat e minoritetit grek në Shqipëri, i cili nuk njeh masakrën ndaj shqiptarëve në Çamëri, dëbimin e tyre dhe përvetësimin e pronave. 

Edhe më çuditshme është lista e kandidatëve për deputetë të projektuar nga Lulzim Basha. Në listë janë përfshirë personazhe të përjashtuar nga komisioni ‘Nishani’ i ngritur nga vetë Lulzim Basha. Janë përfshirë persona me rekorde korrupsioni, humbës të sprovuar në zgjedhjet e kaluara dhe rrethi i Berishës, të cilin shqiptarët e ndëshkuan me votë në 2013.

Komento

Komente

  • ret: 26/02/2021 22:10

    ore a jeni ne terezi ju, pse nga ps kush esht i ndershem? ai vend ka ikur per lesh prej kohesh

    Përgjigju
  • Kent: 25/02/2021 22:22

    Butafirike ky kualicion si një "shportë me karavidhe". Populli nuk i ha me se eshte velur deri ne gryke!

    Përgjigju
  • LORA: 25/02/2021 17:17

    Cfardo koalicioni te bejne babalet e integrum,,,,nuk e mundin dot vullnetin ne shumice te shqiptarve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?