Gjyqtari Ahmet Jangulli, i shkarkuar nga Vetting-u

Paradoksi - KLD e shpall të aftë, KPK shkarkon gjyqtarin si të paaftë

6 Tetor 2018, 10:13| Përditesimi: 6 Tetor 2018, 10:16

  • Share

Ashtu siç edhe pritej, komisioni bazë i Vetingut ka shkarkuar dje nga detyra gjyqtarin në Gjykatën Administrative Shkodër, Ahmet Jangulli, si të paaftë profesionalisht, por edhe për fshehje pasurie dhe marrje ryshfeti. Gjatë seancës dëgjimore, trupa gjykuese tha se Ahmet Jangulli nuk di të shkruajë qartë vendimet dhe se ka zvarritur disa çështje. Për këto, edhe disa arsye të tjera, të cilat do të detajohen në vendimin e arsyetuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra Ahmet Jangullin.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 03.10.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Ahmet Jangulli, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 05.10.2018 vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Ahmet Jangulli, gjyqtar në Gjykatën Administrative Shkodër. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Valbona Sanxhaktari,  znj. Brunilda Bekteshi relatore, znj. Suela Zhegu anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në njoftimin e KPK.

Për KLD është i aftë

Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë gjyqtari Ahmet Jangulli është i aftë për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. Një vit më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka vlerësuar me ‘mirë’ gjyqtarin e gjyqtarin në Gjykatën Administrative Shkodër, Ahmet Jangulli. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 22.09.2017, mbështetur në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në vendimin nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve” i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi shqyrtoi ankesën e paraqitur si dhe projektaktin përfundimtar të vlerësimit të përgatitur nga Kryeinspektori i KLD, vendosi yë vlerësojë “Mirë” gjyqtarin Ahmet Jangulli për periudhën kohore 2007 - 2009, sipas tabelave “Vlerësimi Përfundimtar” bashkëlidhur. Ngarkohet Drejtoria Administratës dhe Financës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të administrojë aktin e vlerësimit përfundimtar të gjyqtarit në dosjen e tij”, thuhet në vendimin e KLD.

Refuzimi i shkarkimit

Vetëm disa muaj më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, refuzoi me shumicë votash për të shkarkuar nga detyra gjyqtarin, duke rrëzuar kësisoj kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë. Referuar procesverbalit të mbledhjes, anëtarët e KLD Gjin Gjoni, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Ridvan Hado, Neritan Cena, Gerd Hoxha dhe Astrit Haxhialushi kanë votuar kundër kërkesës për shkarkimin e gjyqtarit Jangulli. Ndërkaq, kryetari i KLD, Ilir Meta, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe anëtari Vangjel Kosta kanë votuar pro shkarkimit të gjyqtarit. Anëtari i KLD, Xhezair Zaganjori, në cilësinë kryetarit të Gjykatës së Lartë, rezulton se nuk ka marrë pjesë në votim. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka pohuar në KLD se gjyqtari Jangulli ka kryer shkelje të rënda që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. “Propozimi për marrjen e masës disiplinore ka ardhur në vijim të konstatimeve të dala nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektorati i KLD-së, i cili bazuar në urdhrin e verifikimit datë 04.03.2016 ka verifikuar ankesën e paraqitur nga Drejtoria e Policisë së Shtetit ndaj veprimtarisë së gjyqtarit Ahmet Jangulli të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër për zvarritje gjykimi në 5 çështje administrative”, ka pohuar Gjonaj. Gjyqtari Ahmet Jangulli ka dhënë në KLD versionin e tij për pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë. Jangulli ka pohuar se kërkesa e ministrisë nuk ka bazë ligjore. Ndërsa sipas anëtarit të KLD, Gjon Gjoni, ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të kërkuar masa disiplinore për gjyqtarët. Gjin Gjoni ka pohuar se as KLD nuk mund të vendosë për shkarkimin e gjyqtarëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?