Partia Demokratike festoi dje fitoren në Qarkun e Lezhës, ku pas përfundimit të numërimit, arriti të ruante mandatin e katërt, atë të Kastriot Pirolit, i dënuar me pesë vite burg. Në Qarkun e Lezhës u zgjodh deputet edhe ish gjyqtari Gjin Gjoni, i cili kandidonte në listën e hapur të PD-së. Nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të papritur nga SPAK, simboli i korrupsionit në drejtësi Gjin Gjoni do të bëhet pjesë e parlamentit të ri në shtator, edhe pse Sali Berisha ka deklaruar se nuk do t’i njohë zgjedhjet.
Meqenëse vjen nga fusha e drejtësisë, Gjin Gjoni pritet të propozohet nga grupi parlamentar i PD-së si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, komisioni kryesor i Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve, raportimin e institucioneve të pavaruara dhe miratimin e raporteve për vlerësimin e punës vjetore të institucioneve të drejtësisë.
Para Komisionit të Ligjeve, ku nga shtatori do të jetë anëtar edhe Gjin Gjoni, do të raportojnë kreu i SPAK, Prokurori i Përgjithshëm, kreu i ILD-së, KLGJ, KLP, ILDKPKI, KQZ etj. Edhe pse Gjin Gjoni me votën e tij nuk mund të diktojë vendimarrjet e Komisionit të Ligjeve, pasi i përket pakicës, ai mund t’u drejtojë pyetje si deputet dhe madje mund t’u kërkojë llogari krerëve të institucioneve të drejtësisë.
Gjin Gjoni konsiderohet si simboli i korrupsionit dhe sheiku i drejtësisë që u shemb nga Vetingu. Ai hyri si i pastrehë dhe ‘plepist’ në drejtësi, ndërsa doli me një pasuri miliona euro. I kallëzuar nga ILDKPKI për fshehjen e mbi 2 milionë eurove pasuri, Gjin Gjoni ia mbathi nga drejtësia me dorëheqje në korrik të vitit 2020 (pasi i kishte mbaruar leja prindërore) duke evituar përballjen me Vetingun, ku do t’i dilnin pasuritë e pajustifikuara dhe ndoshta elemente të disa veprave penale. Dosja e hetimit të pasurisë së tij nga Vetingu mbahet sekret.
Raporti i zi për figurën e Gjin Gjonit
Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH dhe Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, në 17 janar të vitit 2019, ka prodhuar një raport për figurën e Gjin Gjonit, për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të Vetingut.
Në raport thuhet se Gjin Gjoni, gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ka pasur lidhje me njerëz të krimit të organizuar si dhe është përfshirë në afera korruptive, duke favorizuar njerëz të krimit në procese gjyqësore, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
“…Mbi bazën e të dhënave të vitit 2006 dhe 2012…për subjektin e rivlerësimit Gjin Gjoni ngrihen dyshime të arsyeshme se gjatë një procesi gjyqësor ka ndihmuar/favorizuar, kundrejt përfitimit të paligjshëm, një shtetas…, të përfshirë në krim të organizuar. Gjithashtu, në vitin 2006 dhe 2011 disponohen të dhëna ku thuhet se Gjin Gjoni ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krime të organizuar….si dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj peronave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në raport.
Fshehja e vilës në Farkë, fakte për SPAK-un
Në vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë.
Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”.
Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen me lehtësi.
Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre.
Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi.
Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.
Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.
Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.
Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; ‘Rolling Hills’, Vila nr. 69, Farkë, Tiranë.
Ka dyshime të forta se Gjin Gjoni e ka anuluar fiktivisht kontratën për blerjen e vilës, duke e kaluar formalisht në emër të dikujt tjetër, për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, pasi nuk e justifikon me burime të ligjshme.
Misteri i diplomës, studioi për veteriner, doli doktor në drejtësi
Ka shumë dëshmitarë, ish studentë, të cilët e mbajnë mend Gjin Gjonin student për veterinari në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Por, nuk ka asnjë ish student juridiku, sot gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që rrëfejë se Gjin Gjoni ka studiuar për juridik.
Megjithatë, Gjin Gjoni mban gradën doktor, mbrojtur në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, Departamenti i të Drejtës Civile, me udhëheqëse shkencore Endirë Bushatin.
Mbrotja e gradës doktor nënkupton se Gjin Gjoni duhet t’a ketë kryer arsimin e lartë për juridik. Në CV-në zyrtare të Gjin Gjonit, administruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, thuhet se Gjin Gjoni ka kryer një kurs të përshpejtuar universitar, Universiteti i Tiranës. Në fakt ka kryer kursin e ‘Plepave’. Kurse të përshpejtuar mund të bëhen për berber, murator, manikyr, kuzhinier etj. Kurs i përshpejtuar nuk eksziston në arsimin e lartë. Diploma për arsimin e lartë juridik përfshin 4 vite akademike (8 semestra).
Dyshimet që Gjin Gjoni nuk ka një diplomë të rregullt dhe të vlefshme të arsimit të lartë thellohen më tej nga disa fakte dhe rrethana të tjera. Në maj të vitit 2013, Gjin Gjoni u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u detyrua të publikonte CV-në. Në CV shkruante se kishe kryer Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, gjatë vitit 1993-1994, kur dihet se kohëzgjatja e studimeve të larta është 4 vjet.
Në një kohë kur në vitin 1994 Gjin Gjoni pretendon se ka kryer studimet e larta, në vitin 1993 ka filluar punë si ndihmës i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duket gati e pabesueshme se si një student ishte njëherësh edhe ndihmës gjyqtar!/ Prapaskena
Komente
