Pasi ndeshja Serbi - Shqipëri u zhvendos zyrtarisht nga Beogradi për në Leskovac, kjo për shkak të frikës dhe tensioneve nga grupet huligane, e gjithë vëmendja shkon te tifozët e Kombëtares.
Në bazë të një marrëveshjeje mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj serbe, është dakordësuar që në sfidat mes dy ekipeve nuk do ketë tifozeri kundërshtare.
Njëjtë si më 7 qershor 2025, kur në Tiranë dy skuadrat barazuan 0-0 dhe asnjë tifoz serb (edhe pse zyrtarisht të dënuar) nuk ishte në stadium, edhe në Leskovac nuk do ketë tifozë shqiptarë, të paktën zyrtarisht. Dueli do zhvillohet në një stadium të ri me kapacitet maksimal 8 mijë ulëse, por për shkak të sjelljes jo të mirë të tifozëve serbë në humbjen 0-5 kundër Anglisë, FIFA mund të reduktojë numrin e tyre në të paktën 50 përqind.
Duket se presioni i tifozëve dhe klima jo e favorshme për kuqezinjtë e Sylvinhos është rrëzuar, andaj mendja do jetë 100 përqind në fushën e lojës. Kjo situatë duket paradoksale dhe ironike, pasi dy federatat do zhvillojnë Euro 2027 për 21-vjeçarët së bashku, por në ndeshjet respektive nuk lejohen tifozët. Në datën 11 tetor 2025 Serbia dhe Shqipëria do përballen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
E ardhmja e trajnerit
Kreu i FSHF-së, Armand Duka u shpreh së fundmi se ndeshja kundër Serbisë është deçizive për fatet e kuqezinjve në këtë grup. I pyetur për të ardhmen e trajnerit Sylvinho, ai tha se një dështim për kalimin në SHBA - Meksikë dhe Kanada do 'diskutonte' të ardhmen e brazilianit në stolin kuqezi.
Stadiumi 'Gradski Dubocica' në Leskovac u përzgjodh për të luajtur ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë më 11 tetor 2025, duel që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2025. E projektuar fillimisht në Beograd, frika nga huliganët bëri që Federata Serbe e Futbollit t'i kërkonte FIFA-s zhvendosjen e ndeshjes, gjë që u miratua edhe nga FSHF-ja.
Stadiumi 'Gradski Dubocica' në Leskovac
Është shtëpia e GFK Duboçica. Stadiumi përbëhet nga katër tribuna me një kapacitet total prej 8,136 vendesh.
Stadiumi u hap më 21 gusht 2023. Ndeshja e parë ishte ajo e Ligës së Parë Serbe në sezonin 2023-24 midis ekipit vendas GFK Dubočica dhe Novi Sad 1921 që përfundoi me fitoren 2–1 për GFK Dubočica. Gjatë sezonit 2023-24, stadiumi priti ekipin e Beogradit Čukarički për ndeshjet e tyre evropiane, pasi stadiumi i tyre në shtëpi nuk i plotësonte kërkesat e UEFA-s. Ata luajtën ndeshje kundër Olympiacos në raundin play-off të Europa League 2023-24 dhe kundër Fiorentinës, Ferencvaros dhe Genk në fazën e grupeve të Europa Conference League 2023-24.
Së fundmi, ky stadium është bërë edhe shtëpia e kombëtares serbe të futbollit në disa takime, me drejtuesit që shprehen se ekipi aty është më i qetë larg nga huliganizmi i Beogradit. Stadiumi ndodhet në jug të Serbisë dhe është afro 100 kilometra larg nga kufiri me Kosovën. Aeroporti më i afërt është ai i Nishit (45 km).
Kombëtarja e futbollit luan 'finalen' e madhe për Botërorin në Serbi. Më 11 tetor ekipi i Sylvinhos ka përballë një rival që nuk është vetëm sportiv, por një sfidë që vendos në pah historinë dhe ndjenjat e tifozëve karshi rivalit.
Veç anës historike dhe marrëdhënieve Kosovë - Serbi, dueli në fushë merr një tjetër karakter pasi vendos shumë për fatet e Grupit K kualifikues. Pas pesë sfidave të luajtura, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Në të tilla kushte, duket se në Leskovac tanët e kanë me të vërtetë një ndeshje finale. Me Anglinë që është me 'një këmbë' në fazën finale të Kupës së Botës 2026, dueli për vendin e dytë që të dërgon në play-off është mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Një fitore e Kombëtares në Serbi do të thoshte shumë për kalimin më tej, pasi më pas tanët kanë një ndeshje në Andorra dhe një në Tiranë kundër Anglisë. Por Serbia ka një ndeshje më shumë për të luajtur dhe mund të na kalojë në renditje, kjo edhe falë rezultateve.
Andaj, në një intervistë televizive, kreu i FSHF-së, Armand Duka është shprehur se rezultati në Serbi 'diskuton' të ardhmen e trajnerit.
"Nëse ne shkojmë në Kupën e Botës trajneri qëndron, në të kundërt një dështim për të shkuar aty diskuton të ardhmen e trajnerit", u shpreh mes të tjerash Duka.
Renditja e Grupit K kualifikues
Komente
