Kreu i PD-së Lulzim Basha

Opinion

Parajsa e lulëzuar ku do që t’na çojë Lulzimi

22 Prill 2021, 11:22| Përditesimi: 22 Prill 2021, 11:39

  • Share

Egoizmi është shkaku i të qenit në politikë, ndryshe do fitoje e do merreshe me një profesion. Shihni: shumica e atyre që ne i quajmë “elitë” në politikë, s’kanë bërë asnjë punë tjetër! Është ky egoizëm që shkakton, sidomos kur ndodhesh në opozitë, që jo rrallë të nxit të broçkullitësh marrëzira. Mes të tjerash, mbahej mend se në zgjedhje të shkuara një funksionar partie i PD-së u kish premtuar zgjedhësve se, me ardhjen në pushtet, do përmirësonin ndriçimin diellor. Kjo ka kohë dhe nuk mbahet edhe shumë mend, por, që kur u tha, qeshëm se e menduam thjesht një shkarje. Mirëpo në zgjedhjet e tanishme një nga personazhet kryesore të politikës u premtoi zgjedhëseve të qarkut Korçë se do shpërndajnë para të thata në dorë, që në ditët e para të fitores, sipas nevojave që ka gjithkush! Madje do u marrin përsipër pagesat e kësteve të kredive, kush ka të tilla. Janë të djathtë, që premtojnë gjëra që teoricienët e komunizmit i kanë menduar, por nuk kanë guxuar t’i shtjellojnë në programe.

Sikur të mos mjaftonin këto si ushqim i mjaftueshëm për shtimin e barcaletave dhe anekdodave, doli këto ditë (në daçi besojeni, në daçi mos besoni) një kandidat i opozitës, që u shfaq si mëshirim i të dërguarit prej Zotit.

Premtimet e nivelit Shllafariland …

Këto s’janë asgjë para premtimeve të Lulzim Bashës: pensionet dyfish; çmimi i energjisë kaq herë nënfish; taksat do ulen kaq herë nënfish; pagat e mjekëve, mësuesve, etj., kaq herë mbifish…?!!! Premtimet badiava u tradhtojnë shtirjen tipike që i ka udhëhequr mot për mot këto vemje te ngjitura pas pushteteve e atij zinxhiri të ngatërruar dëshirash për familjen e klanin e tyre nepotik.

Duken këtu e përtej që janë premtime të dala boje e të shpëlara, bërë nga një njeri që s’merr erë nga ekonomia, pa llogaritur arithmetikën. Ai dhe ata e dinë këtë, por i bëjnë premtimet dorëlëshuara deri në marri me synimin se ndoshta ato ua shtojnë sadopak kopenë e të verbërve.

Popujt, shtresat në nevojë, ato të ultat, kanë ëndërruar tërë kohën të prekin dhe shjojnë bollëkun, mirëqenjen. Ëndrrat filluan të rrëfeheshin mbrëmjeve, mbledhur rreth zjarreve në familje. Një prej tyre, atë të vëndit të quajtur Shllafari, vëllezërit Grim e mblodhën dhe e hodhën për të ngelur si trashëgimi botërore te korpusi i përrallave të pavdekshme. Në Shllafari: Qumësht që rrjedh, mjalt që pikon parreshtur, simite të varura, monedha ari në vend të gjetheve, kodra pilafi…etj. Këto që ëndërrohen as u afrohen dot premtimeve të PD-së e parazitëve rreth saj, madje u hanë atë që s’thuhet. Ata nuk e kuptojnë se këto premtime “të lara në flori” ushqejnë fyerje për popullin.

E kush pensionist nuk do të donte t’i jepte votën atij pushteti e individi, që i premton dyfishim të pensionit, ose të paktën gjysmën? Shumica, që ndodhet në nevojë nga që pensionet e marra nuk mjaftojnë për pagesa ushqim, korent, ujë e ilaçe, se janë në kufirin e varfërisë, do ja jepnin patjetër? Por nuk ja japin! Nuk e japin votën sepse i njohin ata që premtojnë. E dinë se janë premtime boshe, që mbillen, por kurrë nuk mbijnë.

…dhe sindroma Munchausen

Është Luli, dora vetë, ai që më ngjan me gënjeshtarin e mburravecin legjendar, Munchausen. Prej këtij mburraveci mjekësia ligjore ka krijuar emërtimin “Sindroma Munchausen”. Nëse Shllafaria ishte përrallë e bukur, kjo e Munchausen-it është marrë nga jeta. E ka marrë emërin nga një oficer gjerman i shekullit të 18-të, Baron von Munchausen, i cili ishte i njohur për gënjeshtrat, zbukurimin e historive të jetës dhe përvojave të tij. Mjekësia e quajti një lloj të një çrregullimi mendor.

Një person, Lulzim Basha, në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme vepron sikur ta ketë këtë sëmundje fizike e mendore. Ai nuk sheh se çfarë transformimi u bëri programi i Partisë Socialiste, duke qenë në qeverisje, qëndrave të rrënuara të të gjitha qyteteve; nuk sheh ndërtimet e investimet e reja në shkolla e spitale; nuk sheh se si ju pre rruga grabitësve të energjisë elektrike; se si po përballon suksesshëm pasojat shkatërrimtare të tërmetit dhe ato të pandemisë. Sindroma Munchausen konsiderohet një sëmundje mendore, sepse shoqërohet me vështirësi të rënda emocionale, dukuri që Luli i ka të shprehura në çdo dalje publike. Ai qëllimisht prodhon shpifje tip “babale” ose ekzagjeron, gënjen ose ndryshon thënjet. Në Kavajë u zunë dhe shtinë me armë për një vend parkimi. Lulzim Munchauseni ja seviri publikut si sulm i armatosur i PS-së kundër PD-së; fanatikun e PD-së sekretari i PD-së e shau nga nëna, Luli tha se ai militani i shau partinë. Kokëtrashët menjëherë kapen prej gënjeshtarit dhe ëndërrojnë që kjo ngjarje banale t’u japë zgjedhësve të ardhmen me Lulin kryeministër.

Pse, o njeri, e tensionon situatën qëllimisht?

E bëjnë këtë prej javësh krerët e Partisë Demokratike, të LSI-së dhe Presidenti. Ka thirrje historike se do ketë luftë; do mbrohen votat me gjak, se janë ngritur e do funksionojnë detashmente mbrojtjeje, etj. I bën opozita, Monika, burri i Monikës dhe i mbështet kandidati butaforik për kryeministër. Nga çdo tension i krijuar historia na kujton se krerët kurdoherë e kanë prapanicën të ngrohtë e të sigurtë. Janë njerëzit e thjeshtë ata që e pësojnë.

Ata, pak e sulmojnë Partinë Socialiste, sepse i kanë ruajtur arsenalet e fyerjeve, sulmeve, sharjeve, mallkimeve, etiketimeve e deri kërcënimeve me jetën, për Edi Ramën. Ky i urryer, nga koha që ndodhet në krye të partisë dhe në majë të piramidës së pushtetit ekzekutiv, është zgjedhur si nishan. Herë për ekstravagancën, atletet, çorapet, kilotat, stilolapsat, poturet…Nga kjo, pasi përdorën pa dobi edhe fotot nudo (ose duke ngrënë makarona), kaluan tek egocentirizmi. Ka kohë që e quajnë autoritarist, autokrat, regjimin-putinist, sundimin si pushtet që i është grabitur popullit, etj. Provuan ta rrëzojnë me dhunë, në rrugë jo demokratike, Për këtë bënë dy gomarllëqe të papara: me mëndjelehtësi foshnjore u larguan nga përfaqësimi në Kuvend dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale. Nëse Partia Socialiste dhe kryetari i saj do binin në kurthin idiot të veprimit provokativ, do i kishin lënë jetës politike në Shqipëri pasojën e një precedenti të rrezikshëm: marrjen e pushtetit nga rruga, jashtë rregullave demokratike, jashtë neneve të përcaktuara në Kushtetutë.

Nuk ka e nuk do ketë në Shqipëri marrje pushteti me bomba Molotov. Prisni datën 26 prill dhe kutitë e votimit, votat e sovranit popull do ta tregojnë fituesin.

Çfarë lind nga macja gjuan minj

Partia Socialiste dhe Edi Rama, sipas gjithë parashikimeve, posaçërisht ato të Institutit të njohur të anketimeve, Piepoli, e fiton një mandat qeverisje tjetër. Nga ky rezultat askush nuk duhet të hidhërohet. Të mërziten, po! Kjo është rrjedhojë e politikës që ka bërë Partia Demokratike dhe shushunjat që mban pranë. Analistë, politologë e gjithfarë shoqërish civile i kam parë të bëjnë parashikime prag zgjedhjesh. Nuk kam ndeshur ndonjë prej tyre, që të shohi si rol përcaktues strukturën e popullsisë, origjinën e gjëndjen shoqërore të saj. A ishin ata që mohuan Luftën Nac-çlirimtare dhe drejtuesit e saj, komandantët e brigadave, batalioneve e deri kompanive, i shpallën kriminelë? Mirëpo në këtë luftë që shpëtoi Shqipërinë, sepse e renditi atë në krah të aleancës fituese, morën pjesë 70 mijë partizanë dhe bijtë, bijat, nipër e mbesa të tyre të dielën do jenë votues. Për kë do votojnë, thoni ju?

A ishit ju që ndytë figurën e çdo anëtari të PPSh dhe (me përjashtim të Sali Berishës) i quajtët kriminelë e çfarë tjetër ju zuri goja? Mirëpo në këtë formacion politik, Fe europiane e kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, militonin 120 mijë anëtarë. Bijtë, bijat, nipër e mbesa të tyre të dielën do jenë votues. Për kë do votojnë, thoni ju?

A jeni ju Lulzimi, që ju larguat me procedurë hetimit nga prokuroria për rrugën e kombit? Me raportet mjekësore që justifikove paraqitjen në organet e drejtësisë i hoqe vetes mundësinë për të shkarkuar një barrë të cilën do ta kesh ngarkuar gjithë jetën? A jeni ju që Sali Berishën, babai që ju mori përdore e ju dha këtë post, e keni idhull? Pa përkrahjen e tij ju do kishit mbetur një anonim, përderi sa nuk kishit shfaqur ndonjë vlerë, që të meritonit ato poste që mbajtët. Mirëpo njerzve u ngjethet mishi kur kujtojnë kohën e sundimit të “babait”. Njerëzit nuk harrojnë diku ata 3 mijë veta kur Saliu rrëzoi shtetin në humnerë.

S’të do shumica Lulzim, se nuk je i guximshëm

Çdo politikan ka gjasat më shumë se të tjerët të jetë i përlyer, i bërë pis, i njollosur, por në rastin tuaj, me nder, s’ju plasi fare për t’u mbyllur gojën “llapqenve”, të cilët kanë mbushur dynjanë me “shpifjet” për mënyrën se si e vutë pasurinë, nga cilat burime dolën investimet fillestare të pronave imobilare në Hollandë e Shqipëri? Po ta kishit bërë këtë sqarim, do shpëtonit nga përgojimi 10 vjeçar veten, por dhe pjestarë e të afërm të familjes.

S’të kam lexuar Lulzim, gjatë 25 vjetëve që punova në shtypin e shkruar, asnjë shkrim, analizë apo opinion! Shtypi është vendi ku shfaqet njeriu, ku duket menjëherë kultura, shkruan mirë apo shkruan keq. Nuk shfaqesh, askush sdo e marrë vesh a ben ti për këtë punë që po i lutesh zgjedhësit. Nga fjalimet e çoroditura, jo e jo!

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?