Teherani është i vendosur për ta ndëshkuar Izraelin pas atentateve të fundit ndaj krerëve politikë dhe ushtarakë të Hamasit. Për më tepër që ekzekutimi më i fundit i liderit Ismail Hanyieh u bë me bomba të telekomanduara pikërisht në Iran, ku ai kishte shkuar për ceremoninë presidenciale.
"Ne do ta ndëshkojmë Izraelin, do të ketë një veprim vendimtar që synon parandalimin", u shpreh presidenti i ri iranian. Baza ajrore amerikane e Al-Asad, në Irak, gjithashtu u godit, teksa as situata nga sulmet e rebelëve Houthis në Jemen nuk është e mirë. Mediat amerikane New York Times dhe Wall Street Journal paralajmërojnë se ky sulm do ndodhë, teksa edhe Rusia tashmë duket e përfshirë direkt, pasi furnizoi Teheranin me armatim të sofistikuar dhe kryesisht sistem raketor.
Pentagoni konfirmon të plagosur në mesin e ushtarëve të pranishëm në Irak. Kurse sekretari amerikan i Mbrojtjes Austin u shpreh se “sulmi demonstron rolin destabilizues të Iranit në rajon”, raportoi “La Repubblica”.
Nga ana tjetër pritja për përgjigjen iraniane vazhdon. Irani është gati të godasë, por nuk dëshiron një përshkallëzim. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Gallant, paralajmëroi:
“Ne përgatitemi për gjithçka, madje edhe për ofensivën”.
Ndërkohë, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ruse, Shoigu, fluturoi për në Teheran, ku u takua me Presidentin Pezeshkian. Presidenti amerikan Biden ka folur me mbretin e Jordanisë, ndërsa Egjipti qëndron i distancuar nga situata e tensionuar në Lindjen e Mesme:
"Kairo nuk do ta ndihmojë Izraelin të zmbrapsë sulmin e Iranit", u shprehën autoritetet egjiptiane.
NYT: Rusia i dorëzoi Iranit sistemet e mbrojtjes ajrore
Rusia e ka furnizuar Iranin me radarë dhe pajisje të avancuara të mbrojtjes ajrore, pasi regjimi i Teheranit i kërkoi Kremlinit armë. Kjo është bërë e ditur nga New York Times, duke cituar zyrtarë iranianë. Ndërkohë, media shtetërore iraniane raporton se presidenti i ri Masoud Pezeshkian tha se Teherani është i vendosur të zgjerojë marrëdhëniet me "partnerin e tij strategjik Rusinë".
"Rusia është ndër vendet që kanë mbështetur kombin iranian në kohë të vështira", i tha Pezeshkian Sergei Shoigu, sekretarit të Këshillit të Sigurimit rus gjatë një takimi.
WSJ: Irani lëviz raketat në përgatitje për sulm
Irani ka lëvizur raketat dhe ka kryer stërvitje ushtarake ditët e fundit në përgatitje për sulmin ndaj Izraelit. Sipas Wall Street Journal, e cila citon zyrtarë amerikanë, gjithçka tregon se Teherani po përgatitet të kryejë një sulm në ditët në vijim. Burimet nuk e dinë shkallën e rolit të Hezbollahut në një përgjigje të mundshme iraniane ndaj vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.