Njoftimi i ndërmarrjeve të kompanive të përpunimit të qumështit se do të rrisin çmimin e bulmetit me 37%, nxiti Autoritetin e Konkurrencës të ngrejë një grup pune për monitorimin e këtij tregu.
Në një njoftim për mediat, Autoriteti Konkurrencës sqaron grupi i punës po vlerëson veprimtarin e ndërmarrjeve të nënprodukteve të qumështit, me qëllim evidentimin nëse ky njoftim për rritjen e çmimeve do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, nëse kjo sjellje është abuzive dhe shkel ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Shkelja e ligjit përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
Ky ligj ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes.
Kujtojmë se kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur që nga 15 shkurti, furnizimet e reja me gjalpë dhe djathë do të kenë çmime deri në 37% më të larta. Sipas listës bashkëngjitur që kompanitë kanë dërguar në pikat e pakicës, rritjen më të madhe e pësojnë djathi dhe gjalpi kryesisht i prodhuar nga qumështi i deles.
Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e rritjes së çmimeve të produkteve të bulmetit në vend. Sipas tij kjo rritje e “hajdutëve që trajtojnë qumështin si produkt luksi” është një dëshmi se Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë. Ai shtoi më tej se të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive me një sjellje monopoliste, ndërsa vijoi më tej duke inkurajuar veprimin e Autoritetit të Konkurrencës për nisjen e hetimit për këtë rritje.
‘“Hajdutët” që e trajtojnë qumështin si produkt luksi. Që Bordi i Çmimeve është një mekanizëm vjedhës për qytetarët shqiptarë, kjo u dëshmua sërish. Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë rritur në mënyrë abuzive deri në 37%, ndërsa bordi e miraton në heshtje një vjedhje të tillë.
Kjo qeveri ndër të gjithë bëmave të zeza do mbahet mend edhe si ajo që e trajtoi Qumështin, Djathin e nënproduktet e tjera si mallra luksi.Me gisht duhet të drejtohen qytetarët edhe ndaj një grushti personash që kontrollojnë çmimet e produkteve të qumështit. Në një sjellje monopoliste të gjithë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive duke ua vështirësuar edhe më tepër jetesën. Me ndërhyrjet e tyre arrijnë të depërtojnë deri në qeveri për të hequr taksa të ndryshme, por çmimet për qytetarët sërish mbesin nga më të lartat.
Inkurajoj veprimin e Autoritetit të Konkurrencës i cili ka reaguar lidhur me informacionet për rritje me 37 % të çmimeve të bulmeteve në vend.AK njofton se ka vendosur ngritjen e një grupi pune për të parë situatën në terren dhe për të evidentuar shkeljet e ligjit ndërkohë ka lajmëruar se shkelësit e ligjit për “mbrojtjen e konkurrencës” do të sanksionohen me gjobë deri në 10 % të xhiros së vitit financiar paraardhës. Ndonëse e vonuar, e inkurajoj këtë hetim dhe të mos ndalen përball joshjeve që mund të ketë rrugës. Ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet të vonojë më tej vendimin për shkrirjen e bordeve. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet si vidhen qytetarët.’- shkruan Sulaj.
o legena qe ju vrafte zoti. Po cmimi i bulmeteve ne 6 muajit e fundit eshte rritur me 100%. Tani u kujtuat ju? Ajde se do e paguani koker me koker indiferencen dhe bashkepunimin me abuzuesit. Plehera
Përgjigju