Pamje nga arrestimi i një prej vëllezërve Përkeqi, në Durrës

Parandalohet krimi në familje në Durrës, 53-vjeçari përleshet me 2 vëllezërit e tij, njëri plagoset! I gjenden armë e silenciator, të tre në pranga (Emrat)

10 Gusht, 14:58| Përditesimi: 10 Gusht, 15:10

  • Share

Durrës- Një krim në familje u parandalua sot (10 Gusht) në qytetin e Durrësit nga policia, teksa 3 vëllezër janë përleshur mes tyre me armë të ftohta dhe sende të forta, pas një grindjeje me motive të dobëta.

Ngjarja ndodhi në zonën e Hamallajt dhe shkaktoi panik, teksa dinamika e krimit fillimisht pati një grindje mes familjeve që i ndante vetëm gardhi dhe më tej i dyshuari 53-vjeçar Andrea Përkeqi fillimisht ka shpuar me thikë gomat e furgonit dhe më tej sulmoi dy vëllezërit e tjerë.

Për pasojë një prej tyre mori plagë në dorë. Policia e sinjalizuar mbërriti në vendngjarje dhe parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm, duke arrestuar edhe të dyshuarit për vepra të ndryshme penale. Dy të ndaluarit e tjerë janë Luan dhe Ylli Përkeqi, respektivisht 49 dhe 43 vjeç. Si prova materiale janë sekuestruar edhe dy armë zjarri.

“Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, njëri prej vëllezërve, shtetasi A. P., (Andrea Përkeqi), ka dëmtuar me mjet prerës thikë gomat e një automjeti tip furgon, dhe më pas është konfliktuar fizikisht me dy vëllezërit e tij, shtetasit L. P. dhe Y. P., duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar në dorë shtetasi Y. P., jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërhyrja e uniformave blu i çoi të dyshuarit në pranga dhe parandaloi përshkallëzimin.

Burime zyrtare sqaruan se “gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit, u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator i pamontuar dhe fishekë luftarakë”. Gjithashtu, u sekuestrua dhe mjeti prerës, thikë, i përdorur gjatë konfliktit.

Veprimet u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, teksa dosja i kaloi prokurorisë vendore, ku po merren në pyetje edhe tre familjarët e dyshuar për shkaqet e ngjarjes dramatike.

Akuzat ndaj tyre janë; "dhuna në familje", "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve", “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "shkatërrim prone" për të dyshuarin Andrea Përkeqi dhe “dhuna në familje” për dy të tjerët.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?