Tirane- Ish-kryebashkiaku demokrat i Pogradecit u paraqit sërish sot në dyert ë Prokurorisë së Posaçme.
Pak ditë pasi mori pafajësinë nga Apeli i GJKKO-së për tenderin e druve, ish-zyrtari i lartë vendor u pa sot teksa hynte në godinën e SPAK, për arsye që pritet të zbardhen në vijim.
Paraprakisht mësohet se organi i akuzës i ka hapur një çështje të re hetimore, bën të ditur gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com, Keti Banushi.
Më 19 Shtator, Apeli i Posaçëm dha pafajësinë për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij, të cilët akuzoheshin nga SPAK për abuzimin me një tender për drutë.
SPAK kishte ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e GJKKO, që i shpalli të pafajshëm, por trupa gjykuese Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), lanë në fuqi vendimin për pafajësi.
SPAK akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milionë lekë, për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.
(Lajmi në përditësim)