Ekonomi

Paratë cash rekord, 4.3 mld euro po qarkullojnë jashtë bankave, 390 milionë euro € më shumë se 2024-a

30 Prill, 15:17| Përditesimi: 30 Prill, 15:39

  • Share

Jashtë sektorit bankar po qarkullon më shumë para sesa vitet e mëparshme. Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars paraja jashtë bankave arriti në 4.3 miliardë euro, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Në raport me vjet paraja cash është rritur me 397 milionë euro, pasi në mars të 2024-ës vlera ishte afro 3.9 miliardë euro.

Qarkullimi i lartë i cash-it në ekonomi është i lidhur me disa faktorë sipas ekspertëve dhe institucioneve, duke nisur nga informaliteti, pastrimi i parave, tradita e të bërit pagesat me lekë në dorë, por ndikim kanë edhe normat e ulëta të interesit për depozitat, që nuk i nxisin qytetarët drejt këtij investimi.

Kjo lëvizje e lartë e parave në dorë, ka kosto të shumta për ekonominë pasi rrit hapësirat për informalitet, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.

Për këto arsye Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për të kufizuar pagesat me para nën dorë, si një zgjidhje për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në vend.

Brenda këtij viti pritet të bëhet gati plani i masave të parashikuara edhe në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, për të kufizuar pagesat me para në dorë brenda vitit 2026. Përveç se do të caktohet një limit për pagesat cash për qytetarët, do të ulet edhe tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekë, pra do të jetë një vlerë më e ulët.

‘Lufta’ ndaj parasë cash bëhet edhe për të ulur fenomenin e pastrimit të parave pasi masa do të ketë edhe për hetimin e justifikimit të pasurisë, pasi shpesh pas pagesave me para në dorë fshihen edhe burimet e paligjshme të pasurisë.

PARAJA JASHTË BANKAVE
Mars 2024           3.899 mln euro
Mars 2025          4.296 mln euro
Rritja                  + 397 mln euro
 

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?