Futbolli italian është ndër të parët që nis vitin 2025 edhe pse i spostuar në tokën arabe. Të enjten, duke nisur nga ora 20:00 do të luhet gjysmëfinalja e Superkupës mes Interit dhe Atalantës. Bergameskët që udhëheqin Seria A do të kenë përballë fituesit në fuqi të Superkupës, por edhe të kampionatit, që më 30 gusht i poshtëroi 4-0 në San Siro.
Në prag të gjysmëfinales trajneri i Atalntës Gasperini është shprehur se ‘Interi është një test për të kuptuar se ku ndodhen me objektivat e këtij sezoni’, ndërsa kapiteni De Roon evidentoi faktin që ‘Interi i ka masakruar në kampionat’, por shtoi se ‘është momenti për të parë nëse janë përmirësuar’.
Në kampin e Interit, trajneri Iznaghi tha ‘se do të duhet një skuadër e madhe për të mposhtur Atalëntën’, ndërsa shtoi se zikaltërit synojnë edhe këtë vit ta fitojnë trofeun. Për këtë gjysmëfinale Interi s’ka në dispozicion mbrojtësit Acerbi dhe Pavard, ndërsa në pikëpyetje është edhe Darmian.
Fituesi i Inter-Atalanta do të përballet me fituesin e çiftit tjetër Milan-Juventus, një gjysmëfinale që luhet të premten e 3 janarit. Në këtë përballje te Milan debuton trajneri Sergio Conceicao, i cili luan kundër djalit të tij, Franciscos i cili është pjesë e Juventusit.