Dikur një profesor karateje, tepër i pasionuar pas arteve marciale, sot, Parid Dule vijon të punojë mes të rinjve, por si profesor i arteve pamore. Me babain piktor dhe xhaxhain skulptor, Dule ndau për vite me radhë një pasion të dyfishtë mes sporteve dhe artit, ndërsa tashmë i është dedikuar 100 përqind këtij të fundit. Së fundi, artisti ka çelur ekspozitën e tij personale në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.
“Unë kam ushtruar karatenë prej 27 vjetësh, qoftë si sportist, qoftë dhe si trajner. Po ka një urë lidhëse ndërmjet artit dhe arteve marciale. Pra janë të dyja arte. Kanë një urë lidhëse, kanë një kulturë, kanë një gjendje në të cilën ti gjithmonë thellohesh për të njohur vetveten, Në karate, duke qenë një sport aziatik dhe ka filozofinë brenda, për të njohur vetveten për të arritur limitet në këtë sport, duhet të arrish limitet në çdo fazë të jetës. Duhet ta kërkosh atë. Ashtu dhe në pikturë, e njëjta është: ti kërkon të arrish deri në limitet e tua, deri ku ti shkon, ku ti provon. Është njësoj: ti stërvitesh çdo ditë për të arritur perfeksionin, në të njëjtën kohë edhe në pikturë është e njëjta gjë. Ti kërkon të shkosh në limitet e tua në këtë rrugëtim, i cili nuk ka fund.”, - thotë Dule për “Report TV”.
“Ditar i një udhëtari-Nuk është fundi, është një ndalesë”, paraqet 33 punë të Dules në teknikën e vajit, të realizuara të gjitha gjatë tre viteve të fundit.
“Çdo artist ka një ditar dhe kryen një udhëtim duke shkruar në ditar dhe kjo krijon sa përgjegjësi për të transmetuar atë ç’ka ti ke në ndjesinë tënde, por e bën aq edhe magjike, në momentin kur gjithçka përfundon dhe ky udhëtim si të thuash nuk është i fundit. Kjo nuk është ekspozita ime e parë, por është ekspozita ime e parë në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura, duke qenë pjesë edhe e stafit akademik dhe për mua ishte shumë e rëndësishme.”, - tregon piktori.
Në ekspozitë, një vend të veçantë zë figura femërore e paraqitur në formën e nudove, ndërsa piktori trajton edhe temën e shpërnguljes, peizazhe apo tematikën historike, për të cilën thotë se e ka tërhequr që në fëmijëri.
“Jam rritur në atë ambient artistik dhe në atë kohë këto shpreheshin edhe më shumë. Pra, është një lloj ëndrre fëmijërore për t'i trajtuar, për t'i bërë dhe një lloj sfide në një farë mënyre.”, - vijon ai.
Kjo ekspozitë për Dulen është një lloj ftese edhe për studentët e tij, për ta njohur më mirë. Sot, pasionin e tij për pikturën e trashëgon edhe i biri, i cili gjithashtu ka përfunduar studimet në Universitetin e Arteve.
Komente
