Asnjë surprizë në turneun individual të tenisit për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit, që risjell një finale që jemi mësuar ta shohim shpesh kohët e fundit.
Pas atyre Grand Slam në “Roland Garros” në vitin 2023 dhe Wimbledon vetëm pak javë më parë, Novak Djokoviç dhe Carlos Alcaraz do të përballen sërish në fushat me dhe të kuq të Parisit, këtë herë për medaljen e artë olimpike.
Tenisti serb siguroi finalen, pasi mundi 2-0 me sete Lorenco Museti në gjysmëfinalen e dytë. Djokoviç hasi rezistencën e rivalit të tij vetëm në setin e parë, që e bëri të tijin me rezultatin 6-4. Më pas në të dytin, vulosi me lehtësi fitoren, duke e mbyllur atë me shifrat 6-2. Në finale, Djokoviç kërkon revanshin ndaj talentit spanjoll, që ka fituar dy përballjet e fundit në turnetë Grand Slam.
Carlos Alcaraz kishte siguruar më parë kualifikimin, pasi në sfidën e tij gjysmëfinale mundi po 2-0 kanadezin, Auger-Aliasim. Spanjolli dominoi duke i lejuar rivalit të tij vetëm dy sete në ndeshjen që zgjati vetëm 1 orë e 16 minuta. Asnjë problem për spanjollin, që mbylli setin e parë 6-1. Me të njëjtin rezultat vendosi edhe të dytin dhe kualifikimin për në finalen e turneut individual për meshkuj në Paris 2024, që do të përcaktojë edhe medaljen e artë në këtë disiplinë.
Finalja zhvillohet të diel, duke nisur nga ora 12:00.