Me një deklaratë lamtumire në rrjetet sociale Kylian Mbappe njoftoi të premten lamtumirën pas 7 vitesh nga Paris SG. Kampioni i botës me Francën më në fund ka vendosur të largohet nga Parc de Prince, duke mos zgjatur kontratën edhe me 1 vit pavarësisht se e kishte këtë mundësi.
Tani është pothuajse e sigurt që 25-vjeçari do i bashkohet Real Madrid, që do ketë një tjetër galaktikët në përbërje për të vijuar dominimin në Europë. Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano zyrtarizimi i Mbappe-s te Reali do vijë pas finales së Champions League kundër Dortmund që luhet më 1 qershor.
Te Paris SG kërkonin me çdo kusht që Mbappe të mos largohej, por nëse ia arritën dy vite më parë këtë herë nuk ia dolën. Megjithatë nga ky largim francezët do përfitojnë rreth 200 milionë euro, ku përfshihet paga 50 milionë euro e lojtarit, por edhe bonusi i besnikërisë që ishte 80 milionë euro. E gjithë kjo shifër e kursyer nga ikja e Mbappes, rreth 200 milionë euro, Paris SG do ti investojë në këtë merkato vere për 4-5 blerje.
Ndërkohë edhe Real Madrid nuk e ka marrë edhe aq falas Mbappen. Pavarësisht se në qershor i skadon kontrata klubi madrilen ka paguar rreth 50 milionë euro bonus për nënshkrimin e francezit. ‘Galaktikët’ kanë kursyer disi te paga, pasi dy vite më parë kishin rënë dakord për 50 milionë euro në sezon, ndërsa me kontratën e re 5-vjeçare deri në 2029 Mbappe do përfitojë 30 milionë euro plus bonuse.