Këshilli Bashkiak i Parisit vendosi disa ditë më parë, që në adresën 63 bulevard Saint-Michel 75005, të vendosej një pllakë përkujtimoreje kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.
Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila shkruan se Parisi i tha faleminderit Ismail Kadarese.
Më tej, ministrja shkruan se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit.
“Në atë pllakë do të gdhendet emri i kolosit kulturor, humanist, patriotik, që na dha gjithçka e nuk mori kurrë asgjë”, thekson Spiropali në postimin e saj.
Ndërsa në fund falenderon qytetin e Parist dhe Francën.
Postimi i plotë i Spiropalit:
Parisi i tha “Faleminderit” luftëtarit të paepur të Shqipërisë Europiane.
Në adresën 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku Ismail Kadare shkroi perla të përbotshme dhe të tejkohshme, do të vendoset pllaka e Tij përkujtimore.
Në ato pak shkronja, do të kujtohet se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.
Do të mbushemi me krenari se edhe pse Ai i përket letërsisë botërore, ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e Tij.
Do të përjetësohet nderi që Shqipëria dhe shqiptaria tek Ai dhe vepra e Tij gjetën formën më të lartë të vetvetes.
Do të na kujtohet se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur e të keqkuptuar, luftoi për ne, edhe kur ne luftonim kundër Tij.
Në atë pllakë do të gdhendet emri i kolosit kulturor, humanist, patriotik, që na dha gjithçka e nuk mori kurrë asgjë.
Merci Paris! Merci à la France!
Komente
