Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Partia Demokratike është marrë peng qysh në djep

21 Prill 2022, 12:16| Përditesimi: 21 Prill 2022, 13:02

  • Share

Më shumë se një duzinë analistësh, të prenotuar nga një emision televiziv në tjetrin, tjerrin fabulën se PD-në e ka marrë peng Edi Rama. Në nisje shtrojmë pyetjen: A është marrë peng PD-ja? E vërteta qendron se PD-ja është marrë peng dhe për këtë me sa duket të gjithë jemi të një mendjeje. Por pyetjet që kërkojnë përgjigje janë: Nga kush? Kur dhe pse?

Analistët i presin drutë shkurt; nuk hapin kutinë e pandorës dhe mbyllin shtigjet për një analizë mbi pengmarrjen. Ka nga ata që realisht nuk kanë ndonjë mendim të konsoliduar; konsumojnë kohën në emisionin që janë ftuar, pa e vrarë mëndjen as për ato që thonë dhe as për ata që i dëgjojnë. Por ka nga ata të cilët, në ekrane të cakuara, kanë fituar statusin e analistit të dedikuar dhe rreken që dëgjuesve t’iu mbushin mëndjen për postulatin e tyre: “Pengmarrësi i Partisë Demokratike është Rama, Sorrosi dhe Departamenti i SHBA-së që e kanë ngjizur këtë aventurë, pra kanë zbuluar Grupimin Rama!”. Sipas llogjikës pula vëzën dhe veza pulën ky Grupim shpallet armik i PD-së, i demokracisë dhe i gjithë shqiptarëve! Mes kësaj kategorie ka nga ata analistë të cilët flasin kështu nga se nuk guxojnë të shpupurisin mbi shkaqet e vërtëta përse PD-ja është katandisur në këtë derexhe. Të tillët e shuajnë harkun e shkëndisë brenda kuadrit të vet. Por janë disa të tjerë, të cilët edhe pse bashkjetojnë me pengmarrsin e PD-së, shënjestrën nuk e heqin nga e vetmja tabelë qitjeje. Kësisoj kanë shpallur kryqëzatën kundër Grupimit, si kauzë të Opozitës.

Ky veprim, aq sa është një sipërmarrje për të mbuluar të vërtetën, është një përpjekje taktike djallëzore për të motivuar e mbledhur sa më shumë mbështetës rreth një lidershipi hallexhi. Përmes një riti mjeran grisin daullen duke stërthënë fabulën: Lulzim Bashën, ish të përzgjedhurin e Sali Berishës, na i paskësh blerë Grupimi, i cili nuk u mjaftua me kaq por bleu edhe të gjithë taborrin që shkon pas Lulzim Bashës! Kësisoj PD-ja u mor peng, opozita e vërtetë u tradhëtua, demokracia u vra, sovraniteti u shkel dhe e keqja më e madhe: PD-ja nuk na vika dot në pushtet! Zgjidhja: Të shpëtojmë PD-në nga pengmarrësi, të bëjmë një spastrim të sajë nën okelion e Rithemelimit! Për ironi të fatit kjo zgjidhje është shpallur prej atij dhe prej atyre që e kanë marrë peng PD-në qysh në djep.

E përkundën dhe e nanurisën siç deshën vet, ia hoqën bojën, ia grisën të linjtat; ashtu lakuriq e tërhoqën zvarrë dhe e turpëruan faqe botës. Në fund, duke e parë PD-në si një ngrehinë të vjetër e pa vlerë, i vunë zjarrin. Mirpo, kundër sinoptikës së tyre, moti u acarua. Pllakosën ngrica të mëdha. E ndiejnë se lëkurën mund t’iua shpëtojë vetëm ajo, ngrehina e vjetër. Meqenëse ajo ishte djegur, hallexhinjtë hodhën në tregun e propagandës Legjendën e Feniksit*. Ringjallja përmes Rithemelimit u shpall aksioni i tyre. Ata që e vranë dhe e dogjën ngrehinën, kanë shpallur rithemelimin e PD-së si në Legjendën e Feniksit! Kush ka koontribuar më shumë në dramën e ngrehinës do të këtë meritat më të mëdha pas ringjalljes së sajë! Nga prijsi e pas tij me radhë janë sulur mëkatarët. Që ngrehina e vjetër do të ringjallet, kjo është e padiskutueshme. Po a do të dalin llogaritë dhe ëndrrat e mëkatarëve? Vallë a do të pranojë Feniksi pas ringjalljes që këta mëkatarë ti ketë rreth vehtes?! Mbetet të provohet, por kjo pjesë e fabulës ka pak shanse të vihet në skenë. Ka një ndryshim. Feniksi u vetdogj për tu ringjallur dhe kështu zogu heroik mbijetoi në legjendë; kurse ngrehinën e dogjën mëkatarët dhe krimi nuk mund të shndrohet kurrsesi në legjendë. Kur ti lëshojë opiumi jo pak prej tyre do të mbeten të habitur dhe syzgurdulluar do të shohin batakun ku janë zhytur. Dhe për këtë fajin nuk iua ka askush e ca më tepër Grupimi jo e jo. Fajin është i tyre dhe i njeriut që ata iu përkushtuan.

*Feniksi në mitologjinë e disa qytetërimeve të lashta simbolizon zogun jetëgjatë. Kur ndien se po i afron sosja, me bimët më të mira  aromatike, e thur vetë shtratin e funeralit të tij dhe e ndez atë me një përplasje të flatrave. Pastaj nga grumbulli i hirit, lind një Feniks i ri, më i fuqishëm. 

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rakipi: 21/04/2022 14:32

    Shyqyr qe kemi PS qe nuk e merr peng kush dhe kalon nga fitorja ne fitore. Sidomos pasi ndryshoi targen mga K ne S.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?