Partia e Lirisë ka denoncuar këtë të shtunë situatën me parkimin në Tiranë dhe akuzon Bashkinë e Tiranës për abuzime për dhënie abuzive të kartës së rezidentit për qytetarët. Anëtarja nga PL e Këshillit Bashkiak, Eriona Bixha, tha se vetëm 1% e makinave në Tiranë mund të gjejnë vend parkingu publik falas.
“Qytetarët çdo ditë e më shumë të përballen me gjobat e shumta të vendosura nga Policia Bashkiake. Banorët e kryeqytetit për shkak të mungesës së hapësirës për parkimin falas për rezidentët, detyrohen të parkojnë në rrugët që i nënshtrohen sistemit të tarifimit të cilët duke mos kryer pagesën në kohën e duhur dhe sipas mënyrës së duhur, gjobiten nga Policia Bashkiake.
Një tjetër problematikë e hasur është edhe mungesa e sinjalistikës apo dobësimi i sinjalistikës me kalimin e kohës duke mos e bërë të qartë për qytetarët nëse një hapësirë boshe është apo jo hapësirë parkimi për rezidentët. Në pjesën më të madhe të rrugëve, vijat e bardha që tregojnë hapësirën e parkimit për rezidentët janë fshirë totalisht.
Kemi konstatuar abuzime nga ana e instuticionit të Tirana Parking në dhënien e Kartës së Rezidentit automjeteve të subjekteve juridike në kundërshtim me nenin 12 të Rregullores së Rezidentit. Në këtë mënyrë, ka raste ku një person mund të ketë 2 Karta Rezidenti, një të automjetit të tij personal dhe një të automjetit të punës.
Së fundmi, ekziston edhe një “paragjykim” në Rregulloren e Rezidenit, ku një familje i jepen maksimumi 2 Karta Rezidenti duke mos plotësuar nevojat që familjet mund të kenë për parkim, në varësi të numrit të pjestarëve dhe automjeteve që disponojnë”, tha Bixha.