Parku Arkeologjik Butrint

Sociale

Parku Arkeologjik i Butrintit, destinacioni i preferuar i turistëve! 74% më shumë vizitorë në sitet kulturore krahasuar me 2023

11 Korrik, 12:17| Përditesimi: 11 Korrik, 12:22

  • Share

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 569,089 vizitorë gjatë Janar-Qershor 2025, një rritje prej 74% krahasuar me 2023 sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:

Parku Arkeologjik Butrint - 105,623 vizitorë

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Kalaja e Gjirokastrës - 92,999 vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës, është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj.

Parku Arkeologjik Shkodër - 79,885 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.

Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë - 74,636 vizitorë

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare, me fokus kryesor dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.

Parku Arkeologjik Apolloni - 58,059 vizitorë

Parku Kombëtar Arkeologjik i Apollonisë është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë. Peizazhi magjepsës, objektet dhe monumentet e shumta që mbart e bëjnë qytetin antik që të jetë në vëmendje të vizitorëve. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?