Dosje

Parku i humbur i Ahmet Zogut dhe 80 vitet ku populli nuk hynte dot! Amarcord - Report Tv

29 Qershor, 21:52| Përditesimi: 29 Qershor, 22:01

  • Share

(Trashëgimia e gjelbër e Mbretërisë Shqiptare)

Pas portës së hekurt të Pallatit të Brigadave, fshihet një park që pak sy e kanë parë, hapësirë e projektuar për mbretin, e ndërtuar nga arkitektët italianë, mbuluar sot mes pemëve të mbjella nga njeriu dhe natyra.

Në këtë episod të Amarcord, shkojmë në një shëtitje përmes rrugicave të një parku të mbyllur, ku historia, arkitektura italiane e parqeve dhe gjelbërimi mbretëror bashkohen në një rrëfim nostalgjik për Tiranën që mund të ishte.

Kopshtet e Pallatit Mbretëror të Tiranës nuk janë vetëm një kujtim i së kaluarës monarkiste, por edhe një simbol i hapësirave publike që qyteti ka humbur ndër vite. Midis bimësisë së egër dhe të butë, arkitekturës me shije italiane, zbulojmë një pjesë të Tiranës që i përket kujtesës por jo përditshmërisë.

I ftuar në Amarcord me Eljan Taninin, është Arkitekti i peizazhit, Andi Papastefani. Papastefani e komenton Parkun e Mbretit përmes skicave të vjetra! 

Eljan Tanini: -Zoti Papastefani, ndodhemi në një nga vendet më enigmatike të Tiranës, Parkun e Pallatit të Brigadave. Përse ky park konsiderohet kaq i veçantë?

Andi Papastefani: -Ky park është një dëshmi e rrallë e arkitekturës së peizazhit në Shqipëri. Është projektuar në fund të viteve 30 nga arkitektë dhe peizazhistë italianë të periudhës fashiste, me qëllimin për të rrethuar me madhështi ndërtesën që atëherë quhej Pallati Mbretëror. Çfarë e bën të veçantë është ndërthurja e elementëve klasikë evropianë me natyrën mesdhetare, një simbiozë që nuk është ripërsëritur më asnjëherë në qytetin tonë dhe shtetin tonë.

Parku i Pallatit të Brigadave, i njohur gjithashtu si Parku Mbretëror, është një nga pasuritë më të rëndësishme historike dhe peizazhistike të qytetit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. I ndërtuar gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, në prag të pushtimit italian, ky park përfaqëson një vepër të mirëfilltë të arkitekturës së peizazhit klasik evropian, të përkthyer në një kontekst shqiptar.

Ndërtimi i Parkut filloi në vitin 1937 dhe përfundoi pjesërisht më 1939, si pjesë e një projekti më të gjerë që përfshinte edhe Pallatin Mbretëror të mbretit Zog I. Parku u konceptua si një aks ceremonial që rrethon dhe nderon qendrën e pushtetit, duke marrë frymëzim nga kopshtet baroke italiane dhe ato franceze të shek. XVII-XVIII.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e regjimit komunist, ndërtesa ndryshoi emër në Pallati i Brigadave, dhe zona u përdor për funksione protokollare ose ushtarake, duke u mbyllur për publikun. Në dekadat e fundit, parku ka rënë në harresë institucionale dhe në rrezik nga ndërtime të paautorizuara apo mungesë mirëmbajtjeje.

Eljan Tanini: -Ka një magji që vjen nga kohët e shkuara, por sot shumë pak njerëz kanë akses në këtë park. A mendoni se kjo pasuri është mjaftueshëm e njohur dhe e mbrojtur?

Andi Papastefani: -Për fat të keq, jo. Ky park është pjesë e një trashëgimie që nuk është përfshirë siç duhet në memorien urbane të qytetit. Mungesa e aksesit publik dhe një strategjie të qartë konservimi e kanë lënë të izoluar, mbase më mirë kështu!

Parku është një vepër e projektuar me aks simetrik që drejtohet drejt pallatit, me rrugë të gjera, shkallare gurësh, hapësira të gjelbërta ceremoniale dhe vija të qarta vizuale që japin ndjesinë e kontrollit, solemnitetit dhe përfaqësimit. Pemët janë të përzgjedhura – selvi, pisha, bredha dhe shkurre dekorative – për të krijuar një atmosferë mesdhetare të hijshme dhe të përhershme.

Struktura e parkut ndjek një koncept scenografik, duke i shërbyer si sfond monumental pallatit dhe veprimtarive zyrtare, me një ndjesi të qartë të gradacionit të hapësirave nga publiku ceremonial në privatësinë e pushtetit.

Eljan Tanini: -Nëse do të mund të përshkruanit ndjesinë që të jep ky park, jo si arkitekt, por si qytetar që ecën mes pemëve të tij, çfarë do të thoshit?

Andi Papastefani: -Është si të ecësh në një kujtim që nuk të përket drejtpërdrejt, por që e ndjen si pjesë të ADN-së së qytetit. Është një hapësirë ku koha është ndalur, ku gjithçka ka një ritëm më të ngadaltë, më të thellë. Është vendi ku mund të ndjesh Tiranën para se ajo të shpërthente në betone dhe zhurmë.

Eljan Tanini: -Ka shumë që nuk e dinë se ky park është projektuar nga italianë në vitet 1937–1939. Kush ishin ata dhe çfarë stili sollën?

Andi Papastefani: -Projekti mbart firmën e arkitektit Gherardo Bosio, i cili ishte një nga figurat kryesore të urbanistikës italiane në Shqipëri gjatë periudhës së Zogut dhe më pas nën pushtimin fashist. Ai bashkëpunoi me peizazhistë italianë që punuan për të krijuar një park solemn dhe klasik, të frymëzuar nga stilet baroke dhe neoklasike të kopshteve evropiane kryesisht ato të Versajës dhe kopshteve italiane të shek. XVII. Aksialiteti i rrugëve, shkallaret ceremoniale, boshtet vizuale drejt pallatit, hapësirat për kontemplim dhe dominuar nga pemë mesdhetare si selvitë, pishat e gjata dhe bredhat, janë elementë të një skeme të menduar për të krijuar solemnitet dhe autoritet.

Eljan Tanini: -A mund ta quajmë këtë park një "kopsht mbretëror" në kuptimin e plotë të fjalës?

Andi Papastefani: -Pa dyshim. Ndryshe nga parqet spontane apo ato të ndërtuara për rekreacion publik, ky është një park i projektuar për të shërbyer një pallati mbretëror të ashtuquajturit "Palazzo del Re", për Zogun I. Ai është pjesë e të njëjtit ansambël monumental me pallatin dhe rrugën hyrëse, i ndërtuar me logjikën e qartë të kontrollit të hapësirës dhe përfaqësimit të fuqisë. Megjithëse sot pallati është njohur si "i Brigadave", origjina e tij është tërësisht mbretërore, ndaj dhe emri i parkut duhej të rikthehej në origjinën e vet: Parku Mbretëror.

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?