Parlamenti britanik miraton ligjin për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në Ruanda, fluturimi i parë brenda 12 javësh! Sunak: Asgjë s’do na pengojë, shpëtojmë jetë

23 Prill, 10:48| Përditesimi: 23 Prill, 22:26

  • Share

Parlamenti britanik miratoi mbrëmjen e 22 prillit projektligjin për dërgimin në Ruanda të emigrantëve të paligjshëm. Dhjetëra konservatorë janë të mendimit se projektligji kishte mangësi dhe shkelte të drejtat e njeriut dhe kishin kërcënuar se do të rebeloheshin, por në fund, vetëm 11 votuan kundër tij.

Miratimi i projektligjit do të thotë se Qeveria mund të hyjë në fazën përfundimtare të planifikimit operacional, duke nisur fluturimet drejt Ruandës, si pionere e përgjigjes ndaj sfidës botërore të emigracionit të paligjshëm. Planet e forta operacionale janë në fuqi për të siguruar që fluturimi i parë drejt Ruandës të kryhet brenda 10-12 javësh, i ndjekur nga fluturime të shumta, pas kësaj.

Ky legjislacioni themelor do të thotë, se Ruanda duhet të konsiderohet një vend i sigurt për qëllimet e zhvendosjes së njerëzve, përfshirë edhe nga gjykatat britanike.

Ky legjislacion do të parandalojë sfidat ligjore që përdoren për të vonuar ose ndaluar largimin e një personi në Ruandë mbi bazën e arsyetimit se Ruanda është përgjithësisht një vend i pasigurt, apo se një individ do të dërgohet në një vend jo të sigurt pas largimit nga Ruanda- një masë e njohur si “refoulement” (largimi i azilkërkuesve në vendin e tyre, ku ata mund të marrin një trajtim të keq).

Projektligji e bën të qartë pa mëdyshje se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar është sovran dhe vlefshmeria e çdo Akti të Parlamentit është e pacënuar nga ligji ndërkombëtar. Ministrat do të jenë në në gjendje ta mbajnë vendimin nëse përputhet me masat e përkohshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për shembull, një detyrim i rregullit 39.  

Projektligji pritet të shkojë në Dhomën e Lordëve ku mund të përballet me kundërshtime të ashpra. Kryeministri Rishi Sunak argumenton se depërtimi i disa azilkërkuesve në Ruandë do të jetë një pengesë për emigrantët që kërkojnë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin e La Manshit me varka të vogla, por laburistët e kanë etiketuar planin një mashtrim dhe me një kosto shumë herë më të lartë.

"Miratimi i këtij legjislacioni historik nuk është vetëm një hap përpara, por një ndryshim thelbësor në ekuacionin botëror mbi emigracionin.

Ne e prezantuam Projektligjin e Ruandës për të penguar emigrantët e pambrojtur të bëjnë kalime të rrezikshme si dhe për të shkatërruar modelin e biznesit të bandave kriminale që i shfrytëzojnë ata. Miratimi i këtij legjislacioni do të na lejojë ta realizojmë këtë dhe ta bëjmë shumë të qartë se nëse ju vini këtu në mënyrë të paligjshme, nuk do të jeni në gjendje të qëndroni.

Vëmendja jonë tani është tek fillimi i fluturimeve dhe jam i vendosur se asgjë nuk do të na pengojë ta bëjmë këtë dhe të shpëtojmë jetë.

Qeveria është gati të nisë fluturimin e parë të transferimit dhe ekipet po punojnë me ritëm për ta organizuar. Kjo përfshin:

·       Një pistë në gatishmëri dhe avionë komercialë të rezervuar për periudha kohore specifike

·       hapësirat e paraburgimit shtohen në 2200

·       200 punonjës të trajnuar, të përkushtuar të çështjeve janë gati dhe presin të përpunojnë në mënyrë të shpejtë pretendimet

·       sistemi gjyqësor ka vënë në dispozicion 25 salla gjyqi për të trajtuar çdo çështje ligjore shpejt dhe me vendosmëri

·       për të shoqëruar emigrantët e paligjshëm deri në Ruandë, kemi gati 500 individë të stërvitur dhe 300 të tjerë që do të stërviten në javët e ardhshme.

Duke ju përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga Gjykata e Lartë, projekligji mbi Sigurinë e Ruandës u paraqit në dhjetor të vitit të kaluar dhe mbështetet në Traktatin Mbretëri e Bashkuar-Ruandë. 

Së bashku, këto masa dhe evidencat e ndryshimeve në Ruandë prej verës së vitit 2022, do të lejojnë qeverinë të zbatojë këtë politikë, duke mbështetur planin më të gjerë, për të ndaluar gomonet duke eliminuar nxitjen për të ardhur këtu në mënyrë të paligjshme.

Ligji i ri, i cili është një nga pjesët më të forta të legjislacionit të paraqitura ndonjëherë, mbështetet mbi Traktatin duke pasqyruar forcën e mbrojtjes dhe angazhimeve të Qeverisë së Ruandës që i jane kaluar Ruandës në përputhje me Traktatin. Gjithashtu:

·       konfirmon se me Traktatin e ri, Ruanda është një vend i sigurt

·       pengon gjykatat britanike të vonojnë apo parandalojnë largimin e një personi në Ruandë, për çështje që kanë të bëjnë vetëm me sigurinë e përgjithshme të Ruandës

·       lejon një rrugë jashtëzakonisht të ngushtë drejt sfidave individuale për të siguruar se gjykatat do të interpretojnë dispozitat përkatëse në përputhje me vullnetin e Parlamentit

  • shfuqizon seksionet përkatëse të Ligjit për të Drejtat e Njeriut 1998
  • konfirmon se vetëm një Ministër i Kurorës mund të vendosë nëse do të respektojë një masë të përkohshme, të lëshuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut."

Pas votimit të hënën mbrëma, sekretari i Brendshëm, James Cleverly, tha se ishte një moment historik në planin e qeverisë për të ndaluar anijet me emigrantë. Në një video të postuar në mediat sociale, ai tha se ligji do të ndalojë abuzimin e emigrantëve që përdorin pretendime të rreme për të drejtat e njeriut. Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka deklaruar këtë mëngjes se ligji për të dërguar emigrantët në Ruandë është një ndryshim thelbësor për ‘ekuacionin global të migracionit’.

“Asgjë nuk do të na pengojë ta bëjmë këtë dhe të shpëtojmë jetë,” tha ai.

Gjatë dy ditëve të fundit, deputetët e djathtë të Partisë Konservatore janë përpjekur të ndryshojnë projektligjin, duke argumentuar se plani i qeverisë për Ruandën mund të bllokohet nga gjykatat. Në nëntor 2023, Gjykata e Lartë vendosi se skema e Ruandës ishte e paligjshme dhe se shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor.

Ora 11:12
OKB i kërkon Britanisë së Madhe të anulojë ligjin për dërgimin e emigrantëve në Ruanda

Dy zyrtarë të lartë të OKB-së po i bëjnë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të anulojë planin e saj për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda.

Në një deklaratë të përbashkët, dy komisionerët e lartë të OKB-së, Filippo Grandi dhe Volker Turk, thonë se ky ligj do të ndikojë në të drejtat e emigrantëve dhe njeriut në mbarë botën

OKB thotë se çdo vend duhet të respektojë të drejtat e emigrantëve.

“Marrëveshja e Mbretërisë së Bashkuar kërkon të zhvendosë përgjegjësinë për mbrojtjen e refugjatëve, duke minuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe duke vendosur një precedent shqetësues global", thotë ai në deklaratë.

Ndërkohë Turk thotë: "Është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të refugjatëve dhe emigrantëve që kërkojnë mbrojtje që të gjitha largimet nga MB të kryhen pas vlerësimit të rrethanave të tyre specifike në përputhje të plotë me të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligjin e refugjatëve".

Ora 11:04
Tentuan të kalojnë kanalin La Mansh për të shkuar në Britani, humbin jetën 5 emigrantë! Mes tyre një fëmijë

Policia franceze në bregun e Calais

Pesë emigrantë, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur teksa tentonin të kalonin Kanalin e La Mansh, ka konfirmuar policia franceze.

Emigrantët humbën jetën në përpjekje për të shkuar drejt Britanisë së Madhe, ndërsa parlamenti britanik miratoi të hënën në mbrëmje projektligjin që i hap rrugë dërgimit të emigrantëve në Ruanda.

Tre burra, një grua dhe një fëmijë, humbën jetën në përpjekje për të kaluar Kanalin nga një zonë pranë qytetit të Wimereux, Francë.

“Rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm, një varkë e vogël (me më shumë se 110 persona) u nis nga plazhi Wimereux”, thanë zyrtarët e policisë franceze.

Mediat franceze thonë se fëmija ishte një vajzë katërvjeçare.

Vetëm disa orë pas miratimit të ligjit, emigrantët u panë në një plazh në Calais duke u përpjekur të hipnin në varka dhe të kalonin Kanalin.

Ministri britanik i imigracionit të paligjshëm, Michael Tomlinson këmbëngul se më pak emigrantë do përpiqen të kalojnë kanalin, sapo të nisë dërgimi i tyre në Ruanda.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?