Parlamenti Europian miratoi të ashtuquajturën “certifikatë të gjelbër” me 546 vota pro, 93 kundër dhe 51 abstenime. Certifikata do të hyjë në fuqi nga 1 korrik 2021 dhe për 12 muajt në vijim.
Euro deputetët përfunduan punën legjislative për certifikatën digjitale të Bashkimit Evropian për të lehtësuar lëvizjet brenda bllokut.
Kjo certifikatë do të jetë në dispozicion në formë digjitale ose letër dhe do të ketë një kod QR që tregon se personi është vaksinuar (me vaksina të miratuara nga OBSH), ka një test negativ, ose është rikuperuar nga Covid -19.
Certifikata nuk do të jetë një parakusht për lëvizjen e lirë dhe nuk do të konsiderohet një dokument udhëtimi. Gjatë negociatave midis institucioneve, eurodeputetët miratuan një marrëveshje që përcakton se shtetet e BE nuk do të mund të vendosin kufizime të mëtejshme udhëtimi për personat që kanë certifikatat, si karantina, vetë-izolimi ose testimi, përveç nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin publik.
Vendet e BE duhet të sigurojnë që testet të jenë të përballueshme dhe gjerësisht të disponueshme.
Italia, Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni, Kroacia, Danimarka, Spanja, Gjermania, Greqia, Bullgaria, Lituania, Polonia dhe Republika Çeke janë ndër të parët të cilat kanë filluar ta vënë në jetë këtë praktikë.