Një komitet i Parlamentit Evropian ka votuar për heqjen e imunitetit të dy eurodeputetëve pas një kërkese nga autoritetet belge që hetojnë skandalin e ryshfetit dhe korrupsionit “Qatargate” që ka tronditur asamblenë e BE-së.
Deputetët e Komitetit të Çështjeve Ligjore të Parlamentit Evropian votuan unanimisht pa asnjë abstenim të martën për heqjen e imunitetit të Marc Tarabella të Belgjikës dhe Andrea Cozzolino të Italisë.
Parlamenti Evropian pritet të miratojë pikëpamjen e komitetit kur të votojë të enjten, duke shkaktuar zyrtarisht fundin e imunitetit nga ndjekja penale për të dy eurodeputetët.
Kërkesa për heqjen e imunitetit erdhi nga autoritetet belge, të cilat kanë akuzuar katër persona për ryshfet, pastrim parash dhe anëtarësim në një organizatë kriminale në lidhje me pagesat e supozuara nga Katari. Të katër – ish-deputeti italian Pier Antonio Panzeri, eurodeputetja greke, Eva Kaili, ndihmësi dhe bashkëshorti i saj eurodeputeti italian, Francesco Giorgi dhe kreu i një OJQ-je në Bruksel, Niccolò Figà-Talamanca po mbahen në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.
Ashtu si Tarabella dhe Cozzolino, Panzeri dhe Kaili ishin anëtarë të grupit socialistë dhe demokratë të Parlamentit Evropian. Tre eurodeputetët në detyrë janë përjashtuar nga grupet parlamentare përkatëse.
Kaili e humbi imunitetin automatikisht, sepse prokurorët besonin se e kishin kapur në flagrancë. Sipas ligjit belg, eurodeputetët nuk kanë imunitet nga ndjekja penale nëse dyshohet se kapen në aktin e një krimi.